Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur shqyrtimi gjyqësor i radhës, ku Lundrim Beqiri, Bekë Salihaj, Adhurim Krasniqi, Valdrin Beqiri, Arianit Pllana, Kreshnik Kurti, Fidan Cakolli, Adnan Murtezi, Gentrit Ismajli, Diar Raçi dhe Egzon Cakolli po akuzohen për disa vepra penale, në lidhje me shpërthimin me granata në lokalet ‘Riza Hair Salon’ dhe ‘Missini’.
Në seancën e sotme u vazhdua paraqitja e mbrojtjes nga të akuzuarit e radhës. Përveç kësaj në seancë munguan të dëmtuarit dhe përfaqësuesit e tyre ligjor, përkatësisht R.B dhe L.M.
I akuzuari Adhurim Krasniqi në paraqitjen e mbrojtjes së tij, përkatësisht pyetjeve të parashtruara nga mbrojtësja e tij, avokatja Albulena Ukimeraj, deklaroi se nuk e mbështet deklaratën e dhënë më herët në Prokurorinë Speciale, duke theksuar poashtu për arsyen e mosmbështetjes në pyetjen e gjyqtares së rastit Suzana Çerkini, se ka tentuar të i ikë përgjegjësisë penale dhe ka deklaruar jodrejtë.
Se si ka ndodhur rasti nga fillimi në fund, tregoi në mbrojtjen e tij i akuzuari Krasniqi. Ndër to se urdhrin për dëmtimin e lokalit të të dëmtuarit R.B e kishte dhënë ai tek i akuzuari Bekë Salihaj, poashtu se kjo ka ndodhur për shkak të mosdeklarimit të vërtetë nga tashmë i dëmtuari R.B, i cili ka qenë i përfshirë si dëshmitar në një rast tjetër penal.
Ndërsa për të akuzuarit Valdrin Beqiri dhe Adnan Murtezi, i akuzuari Krasniqi në mbrojtjen e tij deklaroi se janë tërësisht të pafajshëm dhe nuk kanë të bëjnë asgjë me këtë rast.
Tutje, në mbrojtjen e tij, u deklarua i penduar për veprimet e tij, por i njëjti mohoi se ka pasur synim ta dëmtoj dikënd fizikisht dhe se nuk i njeh një pjesë të të akuzuarve. Krasniqi deklaroi se nuk e pranon cilësimin si grup i organizuar kriminal dhe veprimet përgatitore për vrasje, vetëm dëmtimin e lokalit dhe se sa i përket rastit të Mitrovicës, përkatësisht për shpërthimin në lokalin ‘Missini’ nuk ka njohuri aspak.
Në seancën e sotme, mbrojtjen e paraqitën edhe një pjesë tjetër e të akuzuarve sipas radhës, ndërsa kujtojmë se në seancën e djeshme mbrojtjen e kanë paraqitur të akuzuarit Lundrim Beqiri, Bekë Salihaj dhe Kreshnik Kurti.
Seancat e radhës të shqyrtimit gjyqësor do të mbahen me date 2 dhe 3 maj 2024, nga ora 09:30.
Lundrim Beqiri, Bekë Salihaj, Adhurim Krasniqi, Valdrin Beqiri, Arianit Pllana, Kreshnik Kurti, Fidan Cakolli, Adnan Murtezi, Gentrit Ismajli, Diar Raçi dhe Egzon Cakolli, akuzohen për kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal te organizuar” nga neni 277 par. 2 lidhur me par. 1 te KPRK-se lidhur me veprat penale, veprimet përgatitore për veprën penale “Vrasje e Rëndë”, nga neni 173 par. 1 nen par 1.8 lidhur me 1.13 të KPRK-së ; “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 par 3 lidhur me par. 1 te KPRK-se dhe veprën penale “Detyrimi” nga neni 328 par. 2
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti