Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur shqyrtimi gjyqësor, ku Lundrim Beqiri, Bekë Salihaj, Adhurim Krasniqi, Valdrin Beqiri, Arianit Pllana, Kreshnik Kurti, Fidan Cakolli, Adnan Murtezi, Gentrit Ismajli, Diar Raçi dhe Egzon Cakolli po akuzohen për disa vepra penale, në lidhje me shpërthimin me granata në lokalet ‘Riza Hair Salon’ dhe ‘Missini’.
Seanca ka filluar me marrjen në pyetje të akuzuarit Gentrit Ismajli nga avokatja e tij Av.Teuta Zhinipotoku, ku fillimisht e pyet të akuzuarin se çka ka ndodh me datën 19.06.2022, i njëjti shtoi se nuk ka qenë prezent në atë datë, ndërsa me datën 22.06.2022 deklaroi se së bashku me Fidan Cakollin kanë shkuar në Dardani ku e ka heq siguresën e granadës dhe e ka gjuajtur në lokal dhe pastaj kanë ikur për në Lagjen e Spitalit, ndërsa në pyetjen në lidhje me përfitimet me punën e kryer, i akuzuari theksoi se nuk ka pasur ndonjë përfitim.
Seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të akuzuarit Gentrit Ismajli nga Prokurori Burim Qerkini, ku në pyetjen se a është zhvilluar bisedë brenda veturës se për çfarë po shkojnë në Kodrën e Trimave, i njëjti deklaroi se nuk e dinte arsyen, ndërsa në lidhje me takimin e Fidanit me ndonjë person, i akuzuari theksoi se nuk e ka parë. Në fund shtoi se nuk ka pasur asnjë motiv për hedhjen e granadës dhe kurrsesi nuk ka dashur ta mbys ndonjë person e as të shkaktonte ndonjë dëm material por vetëm ka qenë i ndikuar nga droga.
Seanca ka vazhduar me pyetjen e kryetares së trupit gjykues Suzana Qerkini ndaj të akuzuarit Gentrit Ismajli, ku në pyetjen se sa ka qenë ora kur kanë mbërritur te Viva, i akuzuari shtoi se ka qenë ora 1 e natës, ku i njëjti theksoi se menjëhere pas gjuajtjes së granadës në lokal, janë larguar.
Seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të akuzuarit Egzon Cakolli nga mbrojtësi i tij.
Në pyetjet drejtuar ndaj tij, i njëjti theksoi se nuk ka pasur raporte shoqërore me tjerët, ndërsa Adhurimin e njeh përmes vëllaut të tij por kontakte me të nuk ka pasur, ndërsa në datën 22.06.2022 shtoi se ka qenë në diskotekë, i dehur dhe nuk ka qenë fare në dijeni se dikush do ta sulmoj lokalin e Rizës
Tutje, Gjykata merr aktvendim që ndaj të akuzuarit Arianit Pllana seanca të zhvillohet pa pjesëmarrjen e publikut për shkak të mbrojtjes së interesave personale të akuzuarit.
Ndryshe sipas aktakuzës së Prokurorisë, Lundrim Beqiri, Bekë Salihaj, Adhurim Krasniqi, Valdrin Beqiri, Arianit Pllana, Kreshnik Kurti, Fidan Cakolli, Adnan Murtezi, Gentrit Ismajli, Diar Raçi dhe Egzon Cakolli, akuzohen për kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal te organizuar” nga neni 277 par. 2 lidhur me par. 1 te KPRK-se lidhur me veprat penale, veprimet përgatitore për veprën penale “Vrasje e Rëndë”, nga neni 173 par. 1 nen par 1.8 lidhur me 1.13 të KPRK-së ; “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 par 3 lidhur me par. 1 te KPRK-se dhe veprën penale “Detyrimi” nga neni 328 par. 2.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Jon Ramadani