Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është shpallur aktgjykim dënues në rastin ku Fethi Uygur, Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Eroll Marku, Alban Maloku, Ertan Dacic dhe Milazim Voci, po akuzohen nga Prokuroria Speciale për krim të organizuar lidhur me substanca narkotike.
Sipas aktgjykimit të shpallur, Fethi Uygur u dënua me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 5 viteve, si dhe dënim me gjobë në shumën prej 10 mijë euro. Dënim të njëjtë sipas aktgjykimit mori edhe i akuzuari Alajdin Ramadani. Ndërsa Filip Mishevski u dënua me 8 vite burgim, si dhe 8 mijë euro gjobë.
Dënim me burgim prej 3 viteve, si dhe gjobë prej 5 mijë euro morën të akuzuarit Eroll Marku, Alban Maloku dhe Ertan Dacic, ndërsa i akuzuari Milazim Voci u dënua me dënim me burgim prej 5 viteve, si dhe dënim me gjobë prej 10 mijë euro. Të akuzuarve sipas aktgjykimit të shpallur, në dënimin me burgim do ti llogaritet edhe koha e kaluar nën masën e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak.
‘Sipas nenit 450 të KPPRK-së, të akuzuarit obligohen të paguajnë shpenzimet e procedurës penale, si dhe në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 200 euro, poashtu në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave të Krimit shumën prej 100 euro’, thuhet në aktgjykimin e shpallur nga kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili, si dhe gjyqtarët Kujtim Kransiqi dhe Violeta Namani.
Poashtu të akuzuarve Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Eroll Marku dhe Ertan Dacic iu shqiptua edhe dënim plotësues për dëbimin e të akuzuarve nga territori i Republikës së Kosovës dhe secilit veç e veç iu ndalohet hyrja në territorin e Republikës së Kosovës në kohëzgjatje prej 3 viteve, pas mbajtjes së dënimit, sipas aktgjykimit.
Njëkohësisht me aktgjykim konfiskohen në mënyrë të përhershme të gjitha sendet e sekuestruara përkohësisht, poashtu urdhërohet kthimi i sendeve të sekuestruara përkohësisht, ndër to: Një veturë e tipit BMW, një veturë Opel Zafira, një veturë Ford, poashtu hiqet urdhri ndalues ndaj mullirit ‘Voci’, në fshatin Shirokë të Komunës së Suharekës dhe i kthehet pronarit të tij, theksohet poashtu në aktgjykimin e shpallur.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, akuzohen Fethi Uygur, Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Erol Marku, Alban Maloku, Ertan Dacic dhe Milazim Voci, se që nga koha e papërcaktuar e deri me dt. 16.02.2022, ne vazhdimësi, te pandehurit duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar me hierarki në grup dhe me role te përcaktuara, nën udhëheqjen e te pandehurit Fethi Uygur, ashtu që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëpunim ndërmjet veti, me dashje dhe qëllim të përfitimit pasuror te kundërligjshëm dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar ose qëllimit të grupit për të kryer një apo më shumë vepra penale, aktivisht marrin pjesë në veprimtarinë kriminale të grupit duke ditur se pjesëmarrja e tillë do të kontribuojë në realizimin e veprimtarisë kriminale të grupit, në atë mënyrë që pa leje dhe pa autorizim, kanë kultivuar bimën e hashashit, me qëllim të prodhimit të narkotikëve, brenda objektit – Mulliri “Voci I”, në fshatin Shirokë, komuna Suharekë, dhe atë në katin e 7-të, kati i fundit të objektit te cekur, ashtu që me datën 16 shkurt 2022, rreth orës 14:15 minuta, me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit, në këtë objekt është zbuluar vendi ku bëhej kultivimi i bimës narkotike, pajisjet dhe materialet e tjera për kultivimin e bimës narkotike, dhe atë saksi – vazo ku ishin të mbjella 2059 bimë të dyshuara të llojit kanabis sativa, si dhe rreth 32 kg substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila ishte në procesin e tharjes, e të cilën substancë të dyshuar narkotike e kanë poseduar pa autorizim me qëllim të shitjes apo shpërndarjes dhe e kanë siguruar nga kultivimi i bimës narkotike, me ç’ rast të pandehurit edhe janë arrestuar në vendin e ngjarjes.
Të njëjtit, me veprimet e lartëcekura, sipas Prokurorisë Speciale akuzohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal te organizuar” nga neni 277 par 1 të KPRK-së, lidhur me veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267, paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale “Kultivimi i bimës se hashashit, shkurres se kokainës ose bimëve te kanabisit”, nga neni 272, paragrafi 1 të KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti