Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të Rënda, është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar në rastin e të akuzuarit Rexhep Mehmeti, i cili akuzohet për veprat penale ‘Falsifikim i dokumentit zyrtar’ dhe ‘Marrje e ryshfetit’.
Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ngadhnjim Arrni, në hapjen e shqyrtimit fillestar duke konstatuar prezencën e palëve theksoi se në seancë prezentojnë, Prokurori i shtetit, Zefë Prendrecaj, si dhe i pandehuri, Rexhep Mehmeti me mbrojtësin e tij av. Imer Bejta.
I akuzuari, Rexhep Mehmeti, në lidhje me pranimin e fajësisë deklaroi, se pasi që është konsultuar me mbrojtësin e tij, nuk e ndjen vetën fajtor, për veprat penale të cilat i vihen në barrë.
Pasi që aktakuza ishte lexuar edhe në shqyrtimin e kaluar i cili kishte dështuar të mbahej për shkak të propozimit të mbrojtjes, seanca përfundoi dhe se mbrojtja theksoi se do të bëjnë kundërshtimin e provave në afat ligjor.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i pandehuri Rexhep Mehmeti në cilësi të zyrtarit të gjendjes civile në Komunën e Prishtinës ka Keqpërdorur detyrën e tij zyrtare në vazhdimsi, duke futur në sistem persona të ndryshëm, të cilët fillimisht i kishte regjistruar si të mitur e pastaj i kishte ndryshuar dhe regjistruar si persona madhor.
Tutje, në aktakuzë theksohet se me veprimet e tij i pandehuri Rexhep Mehmeti ka kryer veprat penale, ‘Falsifikim i dokumentit zyrtar’ nga neni 427, par 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ‘Marrje e ryshfetit’ nga neni 421, par 1 i KPRK-së.
Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull konsiderohet i pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se është fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga: Arton Hoxha