Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin për Krime të Rënda, me gjyqtar Gazmend Bahtiri, është mbajtur shqyrtimi fillestar për të akuzuarit Blerim Gerbeshi, Abdyl Fazliu, Jonus Hasani dhe Haki Haziri të akuzuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Pas leximit të aktakuës nga Prokurorja e Shtetit, Bukurije Gjonbalaj, katër të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të datës 23.12.2022, Blerim Gerbeshi dhe Abdyl Fazliu po akuzohen sepse në cilësinë e personave zyrtarë – zyrtarë për legalizim dhe vula apostile në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, duke shfrytëzuar detyrat apo autoritetin zyrtar, me dashje, tejkalojnë kompetencat e tyre dhe nuk i përmbushin detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojnë cfarëdo dobie pasurore, duke shkelur kështu ligjin lidhur me detyrat e punës në atë mënyrë që të pandehurit Haki Haziri, pronar i Agjencionit “Prishtina AG” dhe të pandehurit Jonus Hasani, punëtor në Agjencionin “Swiss Travel” – i mundësojnë vulosjen me vula apostile në dokumentet e personave pa qenë prezent dhe pa pasur autorizim nga personat të cilët janë pajisur me vula apostile. Në këtë mënyrë Blerim Gerbeshi dhe Abdyl Fazliu akuzohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Të pandehurit Haki Haziri dhe Jonus Hasani, po akuzohen nga Prokuroria sepse si pronar (Haki Haziri) dhe punëtor (Jonuz Hasani), u kanë ndihmuar të akuzuarve Blerim Gerbeshi dhe Abdyl Fazliu për kryerjen e veprës penale sikurse më lart, duke u dërguar kështu dokumente për vendosjen e vulës apostile pa qenë prezent personat dhe pa pasur autorizim nga ta. Kështu ata janë duke u ngarkuar me veprën penale “Ndihmë” në kryejen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Rina Murseli