|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohen tre dëshmitarë ndaj të akuzuarve për Falsifikimin e dokumenteve rreth regjistrimit të studentëve në UP

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca ndaj të akuzuarëve Mimoza Beqiri, Behare Bajramin, Ardian Hamitin dhe Betim Ismailin, të cilët po akuzohen për Falsifikimin e dokumenteve rreth regjistrimit të studentëve në Universitetin e Prishtinës.

Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Medie Bytyqi ka konstatuar se prezentë në këtë seancë kanë qenë prokurori Halim Borovci, të akuzuarit me mbrojtësit e tyre, si dhe dëshmitarët.

Tutje, seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitarit D.B, ku në pyetjen e Prokurorit të Shtetit se a është pranuar në Universitet që në afatin e parë, i njëjti theksoi se nuk është pranuar por ka dëgjuar se ekziston mundësia të regjistrohet me lista plotësuese si dhe ka kërkuar ndihmë prej një personi, mirëpo nuk i kujtohet emri. Shtoi se personi që i ka ndihmuar nuk ka pasur ndonjë interes.

Sa i përket pyetjes se kur e ka kuptuar se është pranuar, dëshmitari theksoi se nuk ka pranuar ndonjë dokument por vetëm ka dëgjuar nga të tjerët dhe ka shkuar në ligjërata.

Seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitares D.A nga Prokurori Halim Borovci.

Në pyetjen rreth aplikimit në UP në vitin 2013-2014, e njëjta theksoi se ka aplikuar në Fakultetin e Edukimit dhe për pak pikë nuk është pranuar. E njëjta shtoi se nuk ka paraqitur ndonjë vërtetim në Universitet me emrin e saj.

Në lidhje me shkuarjen në ligjërata, dëshmitarja theksoi se nuk ka shkuar në ligjërata.

Tutje, seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitares E.S, ku në pyetjen e Prokurorit të Shtetit në lidhje me aplikimin si studente e mjekësisë, e njëjta theksoi se ka aplikuar mirëpo nuk është pranuar në afatin e parë. Shtoi se nuk ka takuar ndonjë zyrtar të fakultetit mirëpo kanë diskutuar kolegët mes vete.

Në pyetjen e akuzuarës Mimoza Beqiri ndaj dëshmitares se pse nuk e ka përmendur Ermal Durakun në mes të kësaj, e njëjta theksoi se e ka njohur përmes Mimozës, ndërsa më herët nuk e ka njohur.

E akuzuara Mimoza Beqiri ka pasur vërejtje ndaj deklaratës së dëshmitares E.S dhe shtoi se nuk janë të vërteta deklarimet e saj.

Seanca e sotme ndërpritet, seanca e radhës caktohet me datë 31 Maj në orën 9:00.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 31 maj 2017, ndaj Mimoza Beqirit, Behare Bajramit, Betim Ismailit, Ardian Hamitit, Ermal Durakut, Anton Jakajt, Daut Ademajt, Ilir Muratit, Rajmonda Osmanit dhe Edona Sallahut, me arsyetimin se nga viti 2013-2014, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, kanë falsifikuar dokumente të ndryshme.

 Me këtë, thuhet se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në vazhdimësi”, neni 335, paragrafi 1 i KPRK-së.

E akuzuara Behare Bajrami, sipas aktakuzës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka keqpërdorur detyrën e saj zyrtare.

Sipas aktakuzës, Mimoza Beqiri, Ermal Duraku, Anton Jakaj, Daut Ademaj dhe Ilir Murati, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, në vazhdimësi kanë mashtruar të dëmtuarit se do t’i regjistrojnë në fakultete të ndryshme dhe nga ta kanë përfituar shuma parash, duke filluar nga 2 mijë e 100 euro dhe 5 mijë euro për një regjistrim. Bajrami, gjithnjë sipas aktakuzës, në bashkëveprim me të pandehurit Beqiri, Duraku, Jakaj dhe Ademaj kanë regjistruar të dëmtuarit në fakultete të ndryshme, duke përfituar shuma prej 2 mijë e 100 euro e deri në 5 mijë euro.

Bajrami në cilësinë e bibliotekares në Fakultetin e Edukimit, sipas aktakuzës, ka shfrytëzuar pozitën e saj për t’i bindur të dëmtuarit se është personi kompetent për regjistrimin e tyre në fakultete, derisa e njëjta është vërejtur nga zyrtarët e UP-së.

Me këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, neni 422 i KPRK-së.

Tutje, Prokuroria akuzon Mimoza Beqirin, Behare Bajramin dhe Raimonda Osmanin se kanë tentuar të mashtrojnë Arta Bajramin dhe Valon Imerin se do t’i regjistrojnë në Fakultetin Juridik dhe me këtë kanë kryer veprën penale “Mashtrim në tentativë”, neni 335 i KPRK-së.

Ndërsa, e akuzuara Edona Sallahu, sipas aktakuzës, duke vepruar në bazë të sugjerimeve të Mimoza Beqirit, ka raportuar rrejshëm se i ka humbur kuleta me dokumentacion e në mesin e tyre edhe ID e Fakultetit të Mjekësisë edhe pse asnjëherë nuk ka qenë e pajisur me këtë kartelë.

Sipas kësaj, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “Lajmërim i rremë apo kallëzim rremë”, neni 490 i KPRK-së.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Jon Ramadani

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter