Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ku Faton Hajzeraj, Leutrim Jahja dhe Ylber Krasniqi po akuzohen për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Në seancën e sotme u dëgjuan dy dëshmitarë të radhës, E.S, i cili mban pozitën e teknikut të IT-së dhe A.Q, zyrtar çertifikues në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Në dëgjimin e dëshmitarit të parë E.S, në pyetjet e prokurorit të rastit Halim Borovci lidhur me deklarimin e tij në Policinë e Kosovës, i njëjti deklaroi se qëndron pranë asaj deklarate dhe se nuk ka pranuar mall, por vetëm ka bërë bartjen e mallit që ka qenë brenda hapësirave të QKUK tek administrata qendrore.
I njëjti deklaroi se nuk ka qenë në dijeni lidhur me përmbajtjen brenda pakove të cilat i ka bartur.
Ndërsa në pyetjen e gjyqtarit Naser Foniqi, lidhur me atë se a ka parë dikënd në QKUK duke vendosur kamerat, dëshmitari deklaroi se pas zbutjes së gjendjes me Covid-19 ka parë të punohet në vendosjen e kamerave dhe pajisjeve tjera dhe se gjatë pandemisë me Covid-19 ka pasur pengesa për të punuar.
Tutje, në dëgjimin e dëshmitarit të dytë A.Q, në pyetjet e prokurorit Borovci, u ballafaqua me deklaratën e tij të dhënë më herët në prokurori lidhur me njohurinë mbi rastin, pasi i njëjti në seancën e sotme deklaroi se nuk i kujtohet.
Se a parashihet zyrtari certifikues të dalë në terren të shikoj se a janë përfunduar punimet apo jo, dëshmitari deklaroi se nuk është përgjegjësi e zyrtarit certifikues të zbatojë këtë detyrë.
Në vazhdim të seancës u adminsitruan edhe provat e paraqitura për çështjen penale, si dhe u propozua dëgjimi i përfaqësuesit ligjor të QKUK-së si dëshmitar për seancën e ardhshme, propozim i cili u aprovua nga trupi gjykues.
Seanca e radhës e shqyrtimit gjyqësor do të mbahet me datë 11 qershor 2024, nga ora 09:00.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore, Faton Hajzeraj, Leutrim Jahja dhe Ylber Krasniqi akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti