|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Mbahet seanca e radhës në rastin ndaj të akuzuarve për Krim të organizuar dhe Korrupsion

Sot në Gjykatën Themelore Prishtinë – Departamentin Special është mbajtur seanca e radhës ndaj të akuzuarve Shaip Ferizi, Mexhid Mustafa, Ajdar Jashari, Shqipe Avdiu, Arben Jashari, Mustafë Vitia, Besnik Ferizi, Faton Topanica dhe Arsim Topanica, të cilët po akuzohen për Krim të organizuar lidhur me veprën penale Shpërdorim të detyrës zyrtare dhe Shmangie mashtruese nga pagesat e detyrimeve.

Në seancën e sotme eksperti financiar, Medaim Hashani ka vazhduar me elaborimin e super – ekspertizës e cila ishte kërkuar nga trupi gjykues në seancën e kaluar.

Fillimisht, eksperti theksoi se nga urdhëresa e dërguar nga Gjykata, janë analizuar të gjitha shkresat e lëndës dhe se cdo mendim dhe konstatim është cekur në ekspertizë.

Tutje, në elaborimin e ekspertizës, lidhur me destinimin e mallrave me rastin e hyrjes në territorin e Kosovës, ai theksoi se destinimi ishte në KFOR, por pastaj është vërejtur se janë të falsifikuara, të gjitha faturat e nënshkruara dhe vulosura me vula falso, ndërsa në realitet këto mallra nuk janë dërguar në KFOR, por kanë dalur në treg të zi.

Kurse, lidhur me cështjen e shmangjes nga TVSH, si dhe mungesës në depo, eksperti theksoi se është konstatuar nga dy ekspertiza të tjera, se malli ka hyrë në depo dhe ka dalur nga depo por, nuk ka regjistër të shitjes për atë mallë.

Ndërsa, në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Shaip Ferizi, lidhur me qarkullimin një mujor të BDF, është kostatuar se ka pasur pagesa të TVSH-së, eksperti theksoi se nuk kanë pasur të bëjnë me detyrat të cilat janë caktuar në super-ekspertizë dhe nuk ka qenë relevante të trajtohej.

Kurse, lidhur me paraqitjen e 86 faturave në ekspertizë, eksperti thekosi se secila faturë ka numrin, datën, sasinë, vlerën, pako si dhe cigare për njësi, të gjitha këto janë pjesë e shkresave të lëndës dhe këto janë të gjitha faturat në periudhën dy vjecare.

Sa i përket cështjes së ekzistimit të hetimit në terren nga Dogana e Kosovës, eksperti theksoi se bazuar në shkresat e lëndes, mund të konstatohet se është bërë edhe vizita si dhe hetimi në terren nga Dogana.

Tutje, seanca ka vazhduar me leximin dhe administrimin e provave materiale të propozuara nga Prokuroria.

Lidhur me provat e lartëcekura, mbrojtësit e të akuzuarve theksuan se në përgjithësi i kundërshtojnë provat në kuptim të mbrojtjes, ndërsa elaborimin më të gjerë lidhur me këto prova do ta bëjnë në fjalën përfundimtare.

Pasi që në seancën e sotme, nuk prezenton dëshmitarja e cila është zyrtare në Doganën e Kosovës, kryetari i trupit gjykues theksoi se pas rrethanave të krijuara, seanca e sotme duhet të ndërpritet dhe se dëshmitarja do të ftohet në seancën e radhës.

Seancat e radhës u caktuan të mbahen me datë: 09, 10 dhe 11 Shtator 2024, nga ora 09:30.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 dhjetor 2008, nëntë të akuzuarit që nga 8 shtatori 2006 e deri më 9 tetor 2007, kishin kryer krim të rëndë si pjesë e një grupi të organizuar kriminal, duke e pasur secili rolin e tyre të ndarë në veprimtari kriminale.

Në aktakuzë thuhet se me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të një dobie pasurore apo financiare të kundërligjshme, gjatë importimit të cigareve si kontraktues të KFOR-it dhe në emër të KFOR-it kishin keqpërdorur detyrat zyrtare.

Me këtë rast, sipas aktakuzës, cigaret në vlerë prej 2.931.929.08 euro nuk i kishin dorëzuar në KFOR, por u kanë shitur kompanive të tjera pa banderolë, duke shkaktuar evazion fiskal ndaj buxhetit të konsoliduar të Kosovës në shumë prej 2,441,927,71 euro.

Prokuroria të akuzuarit Shaip Ferizi, Shqipe Avdiu dhe Arben Jashari, i ngarkonte me veprat penale “Krim i organizuar”, lidhur me veprën penale “Shpërdorim i detyrës zyrtare” si dhe me veprën penale “Shmangie mashtruese nga pagesat e detyrimeve”.

Ndërsa, të pandehurit Mustafë Vitia, Mexhid Mustafa, Lulzim Gashi, Besnik Ferizi, Faton Topanica, Arsim Topanica dhe Ajdar Jashari, i ngarkonte me veprën penale “krim i organizuar” lidhur me veprën penale “shmangie nga pagesat e detyrimeve”.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter