|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Shpallet aktgjykimi ndaj të akuzuarve që kanë pranuar fajësinë në rastin ‘Subvencionet V’

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtarja Violeta Namani, i akuzuari Burim Selmani u dënua për veprën penale ‘Ushtrimi i ndikimit’ nga neni 424 par.2 i KPRK-së me dënim me burgim prej 3 muaj dhe dënim me gjobë në shumë prej 5000 euro, ndërsa për veprën penale ‘Mashtrim me subvencione’ nga neni 324 par.3 lidhur me par. 1 te KPRK-së u dënua me dënim me burg prej 3 muaj dhe dënim me gjobë në shumë prej 15 mijë euro. Të akuzuarit Selmani iu shqiptua dënim unik me burgim prej 5 muaj dhe dënim me gjobë prej 20 mijë euro.

Poashtu në aktgjykim u theksua se i pandehuri Burim Selmani në mënyrë vullnetare ka bërë kompenzimin e dëmit të shkaktuar në vlerë prej 184, 857.53 euro.

Ndërsa e akuzuara Kastriote Bajrami u dënua me dënim me burgim prej 5 muaj dhe dënim me gjobë në shumë prej 500 euro për veprën penale ‘Dhënie ryshfeti’ nga neni 422 paragrafi 2 të KPRK-së.

Të akuzuarës Adushe Ukshini, për veprën penale ‘Marrje ryshfeti’ nga neni 421 par. 1 lidhur me nenin 31 dhe 77 të KPRK-së në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje me të akuzuarin Valon Hoti iu shqiptua dënim me burgim prej 2 vite dhe dënim me gjobë prej 5 mijë euro. Ndërsa i akuzuari Hoti u dënua me 9 muaj burgim dhe 500 euro gjobë, poashtu të dy të akuzuarve secilit veç e veç iu shqiptua dënim plotësues ‘Ndalim i ushtrimit të funksionit në administratën publike apo funksioneve në shërbime publike’ në kohëzgjatje prej dy (2) vite, pas mbajtjes së dënimit me burgim.

Tutje, sipas aktgjykimit të shpallur, i akuzuari Granit Avdyli për veprën penale ‘Ushtrim i ndikimit’ nga neni 424 par.2 të KPRK-së u dënua me dënim me burgim prej 9 muaj, si dhe dënim me gjobë prej 100 euro.

Të akuzuarve Faruk Imeri, Avdullah Tërstena, Blerton Ostergllava, Avdyl Sejdiu dhe Muzafer Maliqi, secilit veç e veç, për veprën penale ‘Dhënie ryshfeti’ nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së iu shqiptua dënim me burgim prej 6 muaj, si dhe dënim me gjobë në shumë prej 1000 euro, i cili dënim me kusht nuk do të ekzekutohet nëse të pandehurit në afat prej 1 viti nuk kryejnë vepër tjetër penale.

Sipas aktgjykimit, obligohen të gjithë të akuzuarit mëlartë që ti paguajnë shpenzimet e procedurës, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 100 euro, ndërsa shumën prej 100 euro, për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

‘Përfaqësuesi i palës së dëmtuar nga Avokatura shtetërore për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest të rregullt civil’, theksohet në aktgjykim.

Kujtojmë se në seancën e datës 8 maj 2024, të akuzuarit Kujtim Zariqi, Luan Statovci, Sadat Shkodra, Bejtullah Pira, Afërdita Gjokaj, Valdete Ismaili, Feriz Januzi dhe Alban Novosella nuk kanë pranuar fajësinë për veprat të cilat akuzohen.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të datës 21 mars 2024, të akuzuarit Kujtim Zariqi, Luan Statovci, Sadat Shkodra, Adushe Ukshini, Valon Kurti, Bejtullah Pira, Afërdita Gjokaj, Granit Avdyli, Kastriote Bajrami, Burim Selmani, Valdete Ismaili, Feriz Januzi, Faruk Imeri, Alban Novosella, Avdyl Sejdiu, Avdullah Tërrstena, Blerton Ostergllava dhe Muzafer Maliqi, akuzohen për kryerjen e veprave penale, si ‘Marrje ryshfeti’ në bashkëkryerje dhe vazhdimësi, ‘Ushtrim ndikimi’, ‘Mashtrim me subvencione’, ‘Dhënie ryshfeti’ dhe ‘Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar’.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter