|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dështon përsëri shqyrtimi fillestar për rastin e Keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe Keqpërdorim të sigurimit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin për Krime të Rënda, me gjyqtare Alltëne Murseli, sot më datë 13 Maj, ishte paraparë të mbahej përsëri shqyrtimi fillestar për të akuzuarit Visar Shala, Bedri Januzi, Blerim Potera, Muhamet Balaj dhe Januz Avdili, të akuzuar për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorim i sigurimit”, “Marrje Rryshfeti” dhe “Dhënie Rryshfeti”.

Në hapje të seancës së sotme, pas identifikimit të të gjitha palëve prezente, mbrojtësit e të akuzuarve Muhamet Balaj, Blerim Potera dhe Januz Avdili shprehën që nuk posedojnë të gjitha shkresat e lëndës, andaj edhe për këtë arsye seanca e sotme është shtyrë për datë 3 Qershor në ora 08:45.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të datës 22.02.2024, i akuzuari Visar Shala, akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sepse me datë 10.05.2020, në cilësi të personit zyrtar – zyrtar policor, ka tejkaluar kompetencat e tij ashtu që duke ditur që se aksidenti i trafikut nuk është shkaktuar, përpilon dokument të rrejshëm, gjegjësisht raport policor dhe fletëparaqitje të rrejshme për kundërvajtje, ku këto i nënshkruan dhe i vendos nr. e ID-së së tij dhe të kolegut të tij B.A dhe kështu i ka mundësuar Blerim Poterës dhe Muhamet Balajt të përfitojnë beneficione në Kompaninë e Sigurimeve “Illyria”.

Të akuzuarit Blerim Potera dhe Muhamet Balaj, po akuzohen për veprën penale “Keqpërdorimi i sigurimit”, sepse pas marrëveshjes paraprake në mes tyre dhe me qëllim të benefiteve të sigurimit nga kompanitë e sigurimeve, me dashje kontribuojnë në paraqitje të rrejshme të shkaktarit të aksidentit për dëmtim të automjetit. Blerim Potera gjithashtu akuzohet edhe për veprën penale “Dhënie Rryshfeti”, sepse në bazë të aktakuzës në mënyrë të drejtëpërdrejtë ju ka ofruar rryshfet – para në vlerë 400.00 Euro, zyrtarëve policor Visar Shala dhe Bedri Januzi.

I akuzuari Bedri Januzi, akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i sigurimit”, sepse më datë 10.05.2020, me qëllim të arkëtimit të parave dhe benefiteve të sigurimit kinse për lëndim trupor, planifikon të takohet me Januz Avidilin dhe të inskenojë aksidentin. Bedri Januzi duke drejtuar automjetin, i shoqëruar me pasagjeren G.S, kur arrin në rrugën “Nekibe Kelmendi”, sipas marrëveshjes paraprake, “godet” pjesën e pasme të automjetit që drejtonte i akuzuari Januz Avdili. Tutje, i akuzuari Bedri Januzi lajmëron “aksidentin” në Polici, ku më pas inicohet rasti i aksidentit me dëmtimet materiale dhe lëndime trupore për pasagjeren G.S, ku edhe më pas i pandehuri Bedri Januzi i siguron dokumentet mjekësore në emër të pasagjeres dhe ajo nën përcjelljen, ndihmën dhe udhëzime të tij, paraqet kërkesë në KS Prisig. Si pasojë e paraqitjes së rrejshme të aksidentit, kompania e sigurimeve në fjalë lidh ujdi jashtëgjyqësore për kompensim të dëmeve trupore të G.S, dhe me urdhër mandatin e BKT-së, mjetet monetare në shumë prej 480 Euro, kalojnë tek përfituesi.

I akuzuari Januz Avdili, akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i sigurimit”.

Të akuzuarit Visar Shala dhe Bedri Januzi, gjithashtu akuzohen për veprën penale “Marrje Rryshfeti”, sepse të njëjtit sipas aktakuzës kanë pranuar para nga i akuzuari Blerim Potera lidhur me rastin e lartpërmendur.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Rina Murseli

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter