Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar për të akuzuarit Ramadan Shalaku, Adem Alshiqi, Lah Dedinca dhe Shefqet Kaqiu të akuzuar për veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Gjyqtarja Alltën Murseli ka konstatuar se prezentë në këtë seancë kanë qenë Prokurori i Shtetit Zef Prenrecaj, të akuzuarit me mbrojtësit e tyre.
Pas leximit të aktakuzës nga Prokurori i Shtetit Zef Prenrecaj, të akuzuarit nuk e pranuan fajësinë dhe e konsideruan veten të pafajshëm.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 25.03.2024, i pandehuri Ramadan Shalaku në cilësinë e personit zyrtar Udhëheqës në servisin e mihjes në KEK- Obiliq, i cili ka qenë Menaxher i Kontratës në aktivitetin e Prokurimit KEKC-18-063-521 me titull “Riparim i punëtorisë elektro- makinerike me garderobë”, me dashje ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit për personin tjetër, në atë mënyrë që përkundër se nuk janë kryer punët sipas kontratës nr.8025/12 të lidhur mes KEK dhe Operatorit Ekonomik “Ar-Tech”, i njëjti i ka mundësuar këtij operatori ekonomik “Ar- Tech” Sh.p.k. me pronar Gëzim Jetullahu të përfitoj financiarisht ku me ç’rast e ka dëmtuar buxhetin e KEK-ut në shumën totale prej 7,185.17 euro.
Me këtë i pandehuri Ramadan Shalaku ka kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar sipas nenit 414 par.1 të KPRK-së.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit Adem Alshiqi si kryetar i komisionit, ndërsa Lah Dedinca dhe Shefqet Kaqiu si anëtarë të komisionit të pranimit teknik, në aktivitetin e prokurimit KEKC-18-063-521 me titull “Riparim i punëtorisë elektro- magnetike me garderobë”, në KEK-Obiliq, me dashje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit për personin tjetër, në atë mënyrë që të akuzuarit në bazë të procesverbalit mbi pranimin teknik, kanë pranuar punët e kryera nga operatori ekonomik “Ar-Tech”, vlerësimi i pranimit teknik është bërë në prani të pandehurit Ramadan Shalaku, e që në fakt punimet në objekt në disa vende nuk janë kryer fare e në disa vende janë kryer pjesërisht, me ç’rast secili i akuzuar i kanë mundësuar operatorit ekonomik “Ar-Tech” me pronar Gëzim Jetullahu të përfitoj financiarisht ku është dëmtuar buxheti i KEK-ut në shumën totale prej 7,815.17 euro.
Me këtë të pandehurit Adem Alshiqi, Lah Dedinca dhe Shefqet Kaqiu secili veç e veç kanë kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar sipas nenit 414 par.1 i KPRK-së.
Shënim: Personat e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Jon Ramadani