Në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamenti Special, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit Salih Kelmendi për veprën penale “Marrje Ryshfeti”, në rastin e njohur si Subvencionet 1.
Kryetari i trupit gjykues Kujtim Krasniqi ka konstatuar se prezent në këtë seancë kanë qenë Prokurori i Prokuroris Speciale Safet Halimi, i akuzuari me mbrojtësin e tij dhe dëshmitari bashkëpunues.
Seanca ka vazhduar me fjalën hyrëse të Prokurorit, ku i njëjti theksoi se gjithçka ka filluar kur Bekim Shala me bashkëshorten e tij kishin aplikuar për subvencione për kulturë, grurë dhe misër në bazë të procedurave të aplikuara në atë kohë. Tutje shtoi se marrëveshja ka qenë e tillë që 70% e subvencioneve të i marrin Salih Kelmendi dhe Alban Bushati ndërsa 30% të i marr Bekim Shala, ku më vonë i tërheq paratë nga xhirollogaria bankare dhe i dorëzon Salih Kelmendit dhe Bushatit vlerën prej 92 mijë e 500 euro në formë ryshfeti ndërsa pjesën e mbetur nuk mundet ta dorëzon sepse arrestohen zyrtarët e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë në Prishtinë.
Tutje, avokati i të akuzuarit Salih Kelmendi Av. Besnik Berisha në fjalën hyrëse theksoi se retorika e Prokurorisë mbështetet në dy kriminel të drejtësisë, një bujk të dështuar dhe një zyrtar të dënuar e të shantazhuar. Tutje shtoi se Salih Kelmendi nuk është zyrtar i shtetit, nuk ka qenë asnjëhere zinxhir i Ministrisë, as për vendosje e as pranim të dokumentacionit dhe vetëm se je qytetar në Pejë dhe ulesh në tavolinë me dikënd, nuk do të thotë që duhet të shpallet fajtor vetëm për të rritur numrin e të akuzuarve.Në fund theksoi se dëshmitë e njerëzve të dënuar e të frustruar të merren si jo kredibile.
Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit bashkëpunues B.Sh, ku në pyetjen e Prokuroris Speciale se a ka qenë i shantazhuar në deklarimin e dhënë në Prokurori, i njëjti theksoi se nuk ka pasur ndonjë shantazh, ndërsa në lidhje me vitin 2020 se me çfarë veprimtarie është marrë, i njëjti theksoi se merret me biznes familjar por edhe me bujqësi.Shtoi se paret e pista dhe që nuk i takojnë nuk i merr asnjëhere, dhe se me këtë rast është dëmtuar emri i tij dhe i familjes së tij.
Në lidhje me marrëveshjen, i njëjti theksoi se ka pasur marrëveshje me pak fjalë edhe pse afati për aplikim ka qenë i mbyllur, tutje në pyetjen se a ka paraqitur ndonjëhere kërkesë për ndonjë çertifikatë mjekësore aromatike, dëshmitari theksoi se nuk ka paraqitur asnjëhere si dhe shtoi që është takuar me Sadat Shkodra por nuk e ka përshëndetur fare e as nuk i ka dhënë paret.
Sipas dëshmitarit bashkëpunues, shuma e përgjithshme që e ka marr Albani është 93 mijë ose 94 mijë euro.
Seanca e sotme ndërpritet, ndërsa seanca e radhës u caktua me datë 09.07.2024 në ora 09:30.
Sipas aktakuzës së ndryshuar të 4 prillit 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës,
Pika e parë i ngarkon Luan Statovci, Sadat Shkodra, Berat Nika, Alban Bushati dhe Salih Kelmendi se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “marrje ryshfeti” nga neni 421, par 3 lidhur me par.2 neni të KPRK-së.
Në aktakuzë thuhet se nga 1 korriku 2020 e deri më 24 shkurt 2021, në Prishtinë dhe në Pejë, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtar dhe atë, Luan Statovci- Drejtor për Pagesa Direkte, Sadat Shkodra -Zyrtar për Pagesë Direkte, Berat Nika – Zyrtar për Pagesa Direkte nga AZHB, Alban Bushati- Zyrtar Administrativ në Drejtorinë për Bujqësi në Komunën e Pejës dhe Salih Kelmendi–Inspektor i Tregut në Komunën e Pejës, kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim që të veprojnë në kundërshtim me detyrat e tyre zyrtare, dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë kanë kërkuar ryshfet nga Bekim Shala në vlerë prej 126,000.00€, dhe kanë arritur të pranojnë vlerën prej 92,500.00 €.
Në bazë të aktakuzës, fillimisht Shala më 23 korrik 2020 ka aplikuar në Komunën e Pejës për të përfituar subvencion, pas një kohe ai takohet me të akuzuarit Bushati dhe Kelmendi e pastaj në Istog takohet me të akuzuarit Nika dhe Shkodra ku kanë vizituar pronat e të njëjtit dhe më pas të njëjtit kanë arritur marrëveshje që të ndryshojnë aplikimin nga kultura grurë dhe misër në bimë mjekësore aromatike, dhe më 26 gusht 2020, Shala aplikon për subvencione edhe në emër të gruas së tij Arinda Seferi për të njëjtën kulturë edhe pse ajo nuk ka pasur të mbjellë këtë kulturë dhe arrin marrëveshje që nga parat e marra në emër të subvencioneve shtesë 70% do t’i marrin të pandehurit në emër të ryshfetit dhe 30% Shala.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Jon Ramadani