|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Mbahet seanca e radhës në rastin e vrasjes së Oliver Ivanovic



Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special është mbajtur seanca e radhës në rastin e vrasjes së Oliver Ivanovic, në rastin ku, Nedeljko Spasojveiq, Rade Basara, Silvana Arsoviq, Marko Rashiq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq akuzohen për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Vrasje e rëndë”.

Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Valon Kurtaj, theksoi se në seancën e sotme do të paraqitet mbrojtja e të akuzuarve të cilët do të deklarohen.

Në mbrojtjen e tij, i akuzuari Nedeljko Spasojevic, nga pyetjet e mbrojtësit të tij Faruk Korenica lidhur me përshkrimin e të ndodhurave ai, fillimisht theksoi se së bashku me mbrojtësin e tij, e kanë analizuar aktin akuzues si dhe lidhur me datën në të cilën ka ndodhur vrasja i njejti, kishte qenë në vendin e punës në ndërrimin e parë, në atë ditë kishte pasur takim në stacion policor.

Tutje, ai shtoi se kanë pranuar informacion në mëngjesin e ditës kritike, se ka ndodhur dicka tek zyra e tani të ndjerit Oliver Ivanovic. Pastaj, i akuzuari Nedeljko Spasojevic, theksoi se pasi që kanë arritur në vendin e ngjarjes e kanë parë se vendi nuk ka qenë i siguruar.

Gjithashtu, në vazhdim të mbrojtjes së tij, i akuzuari Nedeljko Spasojevic, shtoi se në ditën të cilën kishte ndodhur vrasja, në vendin e ngjarjes ishte takuar edhe me tani të akuzuarin Zharko Jovanovic, po ashtu pasi kishte shikuar tek vendi ku ka ndodhur vrasja e kishte vërejtur një gëzhojë në tokë.

Ndërsa, në pjesën e Keqpërdorimit apo tejkalimit të detyrës së tij zyrtare, lidhur me hyrjen e personave të pa autorizuar në vendin e ngjarjes dhe se ishte dëmtuar vendi, i akuzuari theksoi se fillimisht nuk e kishte ditur se cfarë ka ndodhur, kurse pas vendosjes së shiritave i njejti shtoi se nuk ka kaluar askush.

Ndërsa, sa i përket bashkpunimit me personat të cilët përmendën në aktakuzë se së bashku kanë marrë pjesë në grupin kriminal, i akuzuari theksoi se nuk ka qëndruar asnjëherë, por vetëm i njeh nga qyteti.

Lidhur me ditën e ngjarjes, në pyetjen e prokurorit Burim Cerkini, se me kënd kishte shkuar atë ditë, i akuzuari Nedeljko Spasojevic, theksoi se kishte shkuar së bashku me dy kolegët e tij.

Ndërsa, pas arritjes në vendin e ngjarjes cilat ishin veprimet e tij, i akuzuari Nedeljko Spasojevic, theksoi se i kujtohet një person i cili ka qenë aty dhe ai ka jetuar në një shtëpi përballë zyrës së Oliver Ivanovic.

Kurse, sa i përket veturës së djegur e cila përmendet edhe në aktakuzë, në pyetjen e Prokurorit Special, Burim Cerkini, i akuzuari theksoi se nga vendi i ngjarjes së bashku me dy policë nga grupi i Prishtinës, kanë shkuar tek vetura e djegur e cila më vonë është konstatuar se nga ajo është kryer krimi.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarit Valon Kurtaj, lidhur me raportin e tani të pandehurit me të ndjerin Oliver Ivanvic, i akuzuari Nedeljko Spasojevic, theksoi se e ka njohur si dhe ka pasur raport të mirë me të, tutje shtoi se është takuar disa herë me të.

Pasi që orari i punës së Gjykatës përfundoi, kryetari i trupit gjykues theksoi se mbrojtja e dy të akuzuarve, Rade Basara dhe Silvana Arsovic do të bëhet në seancën e radhës.

Ndërsa, të akuzuarit Marko Rashic, Dragisha Markovic dhe Zharko Jovanovic kanë theksuar edhe në seancën e kalur se do të mbrohen në heshtje.

Seancat e radhës do të mbahen me datë: 11 dhe 21 Qershor nga ora 09:00.

Nryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, të ndryshuar më datë 10.11.2020, Nedeljko Spasojveiq, Rade Basara, Silvana Arsoviq dhe Marko Rashiq akuzohen për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Vrasje e rëndë”,

Për veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” po akuzohet Dragisha Markoviq, i cili po ashtu akuzohet se në bashkëkryerje me të pandehurin tjetër Zharko Jovanoviq ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ndërsa ndaj Zharko Jovanoviqit dhe Nedeljko Spasojeviqit rëndon edhe vepra penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.

Në përshkrimin faktik të aktakuzës thuhet se të akuzuarit në bashkëveprim ndërmjet veti, me qëllim te shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

Aktakuza pretendon se secili nga te pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç‘rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardhur deri te vrasja e tij.

Për këtë rast, gjinden në arrati M.R., Z.V. dhe Zh.B, për të cilët prokuroria ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar dhe të cilët dyshohet të kenë qenë udhëheqësit e këtij grupi kriminal.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter