Pejë- Në Gjykatën Themelore në Pejë, departamenti për krime të rënda, është dhënë fjala përfundimtare ku të akuzuar janë Lorenc Marleku, Nazif Gashi dhe Ali Gashi që të tre të akuzuar për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Fjala e saj përfundimtare e ka dhënë prokurorja e çështjes, Lumturije Vuçetaj, e cila ndër të tjera ka thënë se, me veprimet e të akuzuarve janë realizuar elementet e veprës penale të cilat ndërtojnë figurën e veprës penale nga neni 414 të KPRK-së dhe gjykatës i ka propozuar që të njejtit t’i shpall fajtor, t’i denoi sipas ligjit dhe t’i obligoi në pagesën e shpenzimeve procedurale dhe referuar të lartcekurave, pas administrimit te të giitha provave dhe analizimit të tyre një nga një ndaj të akuzuarve do të merret aktgjykim dënues, për shkak se eshtë vertetuar pertej dyshimit të bazuar mirë se në veprimet e secilit prej tyre qëndrojnë elementet e veprës penale, ku si rrethana rënduese të marr shkallën e lartë të pjesëmarrjes se të akuzuarve në veprën penale, shkallën e lartë të dashjes si dhe keqpërdorimin e pushtetit ose pozitën nga të akuzuarit në kryerjen e veprës penale. Dhe gjithashtu ka propozuar gjykatës që të shqiptoj edhe dënimin plotësues.
Me pas fjalën e tij përfundimtare e ka dhënë mbrojtësi i të akuzuarit Lorenc Marleku, av. Emrush Kastrati, i cili ndër të tjera ka thënë se, të gjithë bartësit e funksioneve shtetërore e në veçanti pozita e prokurorit të shtetit tregon për një vigjilenc të shtuar që palët të mos i mbaj në tension me prova që nuk janë fajësuese, në rastin konkret që nga fillimi i hetimeve, kërkesa për caktimin e paraburgimit dhe gjatë shqyrtimit gjyqësor e tëra që është paraqitur në aktin akuzues dhe provat që janë administruar tregojnë për një punë të ndërgjegjshme të të mbrojturit të tij dhe në pajtim me dispoizita ligjore. Në fund ka shtuar se, pas vlerësimit të të gjitha provave, gjykata do të nxjerr aktgjykim lirues pasi që nuk ka vepër penale në këtë drejtim pasi që nuk ka pasur as qëllim as dashje për të përfituar dikush, apo mospërmbushje të detyrave.
Gjithashtu edhe i akuzuari Lorenc Marleku ka shtuar se, në punën e tij asnjëherë nuk ka rënë ndesh me ligjin dhe ka kërkuar nga gjykata vetëm drejtësi.
Fjalën e tij përfundimtare e ka dhënë edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ali Gashi, av. Jeton Maqedonci, i cili ndër të tjera ka thënë se, gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor nuk është arritur të vërtetohet se me veprimet e të mbrojturit të tij janë përmbushur elementet e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Dhe në fund ka propozuar gjykatës që të gjitha provat t’i analizojë në mënyrë të pavarur dhe të bie aktgjykim lirues për të mbrojturin e tij.
Gjithashtu edhe i akuzuari Ali Gashi ka shtuar se, të gjitha lejet e ndërtimit dhe të rindërtimit janë lëshuar në harmoni të plotë me ligjin e ndërtimit.
Si dhe fjalën e tij përfundimtare e ka dhënë mbrojtësi i të akuzuarit Nazif Gashi, av. Salih Mekaj i cili ndër të tjera ka thënë se, nuk është përgjigjësi e inspektorit të ndërtimit që të korrigjoi lejet, siç edhe të gjitha lejet në Komunën e Klinës janë audituar dhe kanë kaluar testin e auditimit, pra nuk ka pas vërejtje. Gjithashtu ka kërkuar nga gjykata që të shiqojnë me vëmendje të gjitha argumentet, të vlerësohen të gjitha provat dhe të merret një vendim për lirimin nga akuza të mbrojturin e tij.
Gjithashtu edhe i akuzuari Nazif Gashi ka shtuar se, e ka kryer detyrën e tij me përgjegjësi të plotë me aq sa ka pas mundësi dhe kushte për punë dhe se shpreson që drejtësia do të vendoset ashtu siç duhet.
Shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 20 maj 2024.
Kujtojmë që sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, të pandehurit Lorenc Marleku në cilësinë e Drejtorit të Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit si dhe i pandehuri Ali Gashi në cilësinë e udhëheqësit të sektorit të ndërtimit dhe banimit në Komunën e Klinës si bashkryerës tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, duke lëshuar leje ndërtimore për mbindërtim në kundërshtim me ligjin e ndërtimit.
Ndërsa sipas akuzës i pandehuri Nazif Gashi në cilësinë e inspektorit të ndërtimit në Komunën e Klinës, nuk i përmbush detyrat tij zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, duke vepruar në kundërshtim me ligjin e ndërtimit, udhëzimin administrativ për mbikqyerje si dhe ligjin për inspektorat.
Që të tre të akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘’keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 të KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi