|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Paraqesin mbrojtjen tre të akuzuar në rastin ‘Toka’

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin Special, me trup gjykues, Arben Hoti, në

cilësi të kryetarit, Lutfi Shala dhe Mentor Bajraktari, në cilësi të anëtarëve, sot më datë 23 Maj 2024, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor për rastin “Toka”, me 18 të akuzuar, Azem Syla, Shaban Syla, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Arton Vila, Avdurrahman Brajshori, Ilaz Syla, Gazmend Gashi, Lubisha Vujovic, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnie Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj dhe Vidosav Novakovic.

Plani për seancën e sotme ka qenë paraqitja e mbrojtjes për tre të akuzuar, respektivisht Shpresim Uka, Vidosav Novakovic dhe Ramadan Mavraj.

I akuzuari i parë, Shpresim Uka, kishte zgjedhur sot që të mbrohej në heshtje. I akuzuari i dytë, Vidosav Novakovic, në pyetjet nga mbrojtësi i tij, ka shprehur që arsyeja se pse gjendet këtu është sepse ka refuzuar të dëshmoj për të akuzuarin Azem Syla nga ana e Prokurorit të EULEX-it, i cili e kishte ftuar të jetë dëshmitar kundër Azem Sylës.

I akuzuari, Vidosav Novakovic, kërkoi nga trupi gjykues që të lexoj një pjesë të një dokumenti që me shpresë është gjendur edhe në shkresa të lëndës, gjegjësisht të një dokumenti publik të Prokurorisë në Serbi. Në këtë dokument shkruhet që ka dyshime se në territorin e Kosovës, gjendet Azem Syla, i cili është i cekur si organizator i grupit kriminal, i cili gjendet në majen e shërbimit SHIK dhe qëllimi i këtij grupi ka qenë marrja e tokave të cilat ishin në pronësi të serbëve. Më tutje i akuzuari ka lexuar këtë dokument ku është vazhduar të shpjegohet që qëllimi nuk ka qenë vetëm që kanë fituar disa milionë euro duke i shitur ato toka shqiptarëve, por ka ndikuar edhe në ndryshimin drastik të strukturave etnike të banorëve në qendrën e Kosovës. Nga pjesa e parave të cilat janë fituar në këtë mënyrë është financuar SHIK-u, e cila ndërmjet ndërmarrësive të ndryshme dhe aktiviteteve, ka bërë edhe copëtimin e enklavave të popullatës serbe. Në këtë mënyrë, Novakovic (pra në këtë dokument flitet edhe për vetë të akuzarin Novakovic) ka mundësuar të financojë ilegalisht SHIK-un dhe Azem Sylën si punëdhënës / udhëheqës të tij, dhe duke iu falendëruar kësaj, kjo organizatë në periudhën e vitit 1999, ka vepruar disa punë me qëllim, duke përdorur kështu armatim, duke aktivizuar mjete eksplozive, duke shkaktuar zjarrvënie dhe duke shkatërruar institucione publike shtetërore dhe punë të tjera të rrezikshme të cilat mund të cënojnë jetët e njerzve, dhe e tëra kjo me qëllim frikësimin e populates, cënimin e politikave kushtetuese e bazike ekonomike dhe struktutrave të Republikës së Serbisë – ka vazhduar të shkruhet në këtë dokument, i cili edhe u theksua si dokument top sekret i shtetit fqinj. Ky raport ishte përpiluar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, Drejtoriati Policor, Zyra për luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit, dhe ishte nënshkruar nga zëvendësi i prokurorit për krime të organizuara. Në fund, i akuzuari Novakovic, ka theksuar sërish që Prokurori i EULEX-it e ka ftuar dhe thirrur që të dëshmoj ndaj të akuzuarit të parë Azem Syla, dhe i kam thënë që nuk e njoh dhe nuk kam për cka të dëshmoj.

Mbrojtja e të akuzuarit të tretë, Ramadan Mavraj, ka konsistuar në shpjegimin e përvetsimit të tre pronave gjatë viteve 2007-2009, ku i njëjti ka shpjeguar që ato i ka ble nga Fahredin Gashi, që ka cekur që nuk e ka njohur më herët, përvec kur ka filluar të blej armaturë për kompaninë e tij, e që aty kishte rastisur të pyes Fahredinin nëse ka njohuri për toka në shitje. I akuzuari Mavraj ka cekur që Gashi ka pasur dokumentacionin në rregull në atë kohë kur ka blerë tokat, dhe kontratat ishin lidhur pa problem në Gjykatë, dhe përkthyer pa problem edhe në Kadastër. Edhe pse i akuzuari u është përgjigjur pyetjeve ekstensive të bëra nga palët e tjera në këtë cështje penale, mbrojtësi i Mavraj ka theksuar se konform Ligjit për Pronësi dhe të drejtat e tjera sendore, nuk ka qenë detyrim i të mbrojturit të tij që të kontrolloj prejardhjen e tokës përtej personit që ia ka shitur e që në atë kohë, dokumentacioni i Fahredin Gashit është prezentuar si korrekt, andaj rrjedhimisht edhe nuk ka pasur detyrim i mbrojturi i tij të ketë njohuri se këto prona kanë qenë prona shoqërore.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

Bashkë me Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, Ilaz Syla, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj.

Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe N.U, Sh.M, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të siguroi prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura. Por, gjykatësi Hoti, jashtë seancës ka bashkuar procedurën për të akuzuarin Ilaz Syla dhe Vidosav Novakovic, ku për këtë të fundit ka thënë se provat janë të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Rina Murseli

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter