Në Gjykatën Themelore në Prishtinë gjatë ditës së djeshme ka dështuar seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve Artan Ferati dhe Besnik Beshi të cilët po akuzohen për veprat penale Keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe Falsifikim i dokumenteve.
Av.Florent Latifaj theksoi se dëshmitari F.H sipas mbrojtjes nuk mundet të dëgjohet në këtë shqyrtim gjyqësor sepse i njëjti ka qenë i bashkëakuzuar me të tjerët, dhe se nuk e lejon ligji marrjen në pyetje si dëshmitar.
Prokurorja e Shtetit Shenaj Berisha theksoi se në bazë të Kodit të Procedurës nuk ka të drejtë të dëgjohet dëshmitari F.H sepse i njëjti ka qenë i akuzuar në aktakuzë.
Në mungesë të dëshmitarit D.A, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Alltën Murseli theksoi se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor.
Seanca e sotme ndërpritet, seanca e radhës caktohet me datën 11.07.2024 në ora 09:00.
Siç thuhet në aktakuzë, më 1 prill 2016, rreth orës 13:30, duke përcjellë me veturën e tij furgonin që e kishte drejtuar, i akuzuari Selatin Krasniqi, me vetëdije të plotë e kishte transportuar oficerin doganor Artan Ferati prej ZBD në Prizren, deri në Prishtinë.
Më pas, thuhet se me të arritur në SHPK “Eri Group” për asgjësim të 2 mijë e 880 copë të parfumeve “Paco Rabane 1 Milion”, si produkte të ndaluara, të importuara nga Kina prej importuesit N.T.T.SH “Te Bashkimi”, me pronar Bashkim Latifin, me dëshirë që i akuzuari Ferati të mos përkujdesej për mbarëvajtjen e procesit të shkarkimit dhe shkatërrimit të plotë të mallit të falsifikuar, sipas urdhrit të të akuzuarit Rama, punëtorët fizik i kishin nxjerrë vetëm dy paketa dhe i kishin dërguar te presa, ku ato ishin asgjësuar.
Tutje, thuhet se paketat tjera nuk ishin shkarkuar nga furgoni dhe me to ishte larguar furgoni i drejtuar nga Avdullah Latifi.
Pastaj, sipas aktakuzës, këtë furgon e kishin ndaluar hetuesit e kundër kontrabandës së Doganës së Kosovës dhe gjatë kontrollit kishin gjetur dhe konfiskuar parfumet e destinuara për shkarkim, kurse i akuzuari Ferati ishte larguar nga vendi i ngjarjes bashkë më të akuzuarin Krasniqi, e më pas ishte larguar edhe i akuzuari Rama.
Ndërkaq, i akuzuari Latifi po dyshohet se së bashku me të akuzuarin Artan Ferati, si persona zyrtarë kishin shfrytëzuar detyrën zyrtare dhe nuk i kishin përmbushur detyrat me qëllim që tjetri të fitojë dobi pasurore.
Këtë thuhet se e kanë bërë më 1 prill 2016, gjatë procesit të asgjësimit të produkteve të parfumit, i akuzuari Ferati si doganier dhe i akuzuari Latifi punëtor në NP ”Te Bashkimi” në Prishtinë, pas shkatërrimit të dy paketave, nuk ishin interesuar edhe për shkarkimin e produkteve të tjera të mbetura në furgon dhe asgjësimin e tyre përmes presës speciale.
E pas konfiskimit të të njëjtave nga Njësiti Anti-Kontrabandë i Doganës së Kosovës, Latifi i kishte prezantuar hetuesve dy fatura dhe kuponë fiskal me shënimin kinse po transportohet ujë tualeti.
Të akuzuarin Latifi, prokuroria e ngarkonte me veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ramën e akuzonte për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre penale.
Pas ankesës së parashtruar nga Prokuroria e Shtetit dhe vetë palës së pandehur të shpallur fajtore, ndaj vendimt të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Gjykata e Apelit kishte vendosur më datë 13 Korrik 2023, përmes Aktvendimit PAKR.nr. 76/2023, ashtu që cështjen e kishte kthyer në rigjykim.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Jon Ramadani