|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Deklarohen të pafajshëm dy të akuzuar për rastin e Subvencioneve

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin Special, me gjyqtare Valbona Selimaj, sot është mbajtur seanca e shyqrtimit fillestar për të akuzuarit Hasan Maxharraj dhe Luan Statovci, të akuzuar për veprën penale “Marrje Rryshfeti”, nga neni 421 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Pas leximit të aktakuzës nga Prokurori i Prokurorisë Speciale, Dren Paca, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

Hasan Maxharraj, akuzohet sepse në muajin Dhjetor, në Istog, në fabrikën “Agroprodukt”, në cilësinë e personit zyrtar si Zyrtar për Zhvillimin e Bujqësisë në Drejtorinë për Bujqësi, Pylltari dhe Hidroekonomi në Komunën e Istogut, pranon rryshfet nga Arbër Avdijaj që të veprojnë në kundërshtim me detyrën zyrtare me qëllim që t’i mundësojnë të përfitoj subvencion në mënyrë të kundërligjshme, në atë mënyrë që derisa Arbër Avdijaj në emër të Halit Avdijaj aplikon për subvencione më datë 12 Korrik 2019, i akuzuari Maxharraj dhe Arbër Avdijaj takohen në një restaurant në Istog dhe arrijnë marrëveshje që t’i mundësohet Arbër Avdijaj përfitimi në subvencion në këmbim të rryshfetit në vlerë prej 15,000.00 Euro, e pastaj pasi që Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (tutje referuar si “AZHB”) ekzekuton pagesat, Avdijaj pranon subvencione më vlerë prej 70,985.00 Euro, dhe pas disa ditësh Maxharraj shkon në fabrikën “Agroprodukt”, në fshatin Sinaj dhe nga Besim Loshi e në prani të Avdijaj në një zarf pranon rryshfet në vlerë 15,000.00 Euro. Andaj në bazë të kësaj, Hasan Maxharraj po akuzohet për veprën penale “Marrje Rryshfeti” nga neni 421 i KPRK-së.

Ndërsa, i pandehuri Luan Statovci, po akuzohet nga PSRK sepse më datë 16 Dhjetor, në cilësinë e personit zyrtar si Drejtor për Pagesa Direkte në AZHB, pranon rryshfet përmes Afrim Abazaj nga Sadush Kabashi që të veproj në pajtim me detyrën zyrtare, në atë mënyrë që Kabashi përfiton grant në emër të N.P.T “Agro Kabashi” dhe lidh Kontratë me AZHB-në për financimin e projekteve investuese të zhvillimit rural, në vlerë prej 194,908.00 Euro. Mirëpo gjatë procedurës së impementimit të projektit, AZHB i refuzon pagesën kinse ka rënë në vonesë dhe gjatë kohës së ankimit, Kabashi takohet me të pandehurin Luan Statovci në zyrën e tij dhe e njofton se iu është refuzuar pagesa për shkak të vonesave. Më pas lidhur me këtë cështje, Afrim Abazaj në koordinim me Statovcin, takohen me Sadush Kabashin, në fshatin Gurracok arrijnë marrëveshje që për kryerjen e pagesave të grantit të jepen rryshfet në vlerë 30,000.00 Euro. Pastaj, Kabashi pasi ka pranuar pagesat për subvencion, sëbashku me Abazaj shkojnë në BPB – bankë, dega në Istog, tërheq paratë dhe ia dorëzon Abazajt shumën prej 30,000.00 Euro. Ky i fundit këto para, pasi koordinohen me Luan Statovcin, më datë 16 Dhjetor 2020, në Istog, në një qese plastike, shumën prej 30,000.00 Euro, ia dorëzon vëllaut të tij Salih Statovci. Andaj në bazë të kësaj, Luan Statovci akuzohet për veprën penale “Marrje Rryshfeti” nga neni 421 i KPRK-së.

Emrat e tjerë të përmendur përvec të pandehurve Maxharraj dhe Statovci gjithashtu janë të akuzuar nga Prokuroria Speciale lidhur me këtë rast, megjithatë për Hasan Maxharraj dhe Luan Statovci, është vecuar procedura pas rekomandimit të Gjykatës së Apelit përmes Aktvendimit të datës 23 Prill 2024.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Rina Murseli

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter