|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dështon seanca ndaj të akuzuarve për Keqpërdorim të pozitës zyrtare

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj dhe Martin Biserov, të cilët po akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Avokati mbrojtës i të akuzuarit Faton Gurguri Av. Sevdaim Zejnullahu theksoi se i akuzuari gjendet jashtë vendit dhe ka qenë e pamundur të jetë prezentë në seancën e sotme, tutje nuk ishin prezentë dy dëshmitarët të cilët janë ftuar me ftesa të rregullta, mirëpo mungesën nuk e kanë arsyetuar.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gëzim Ademi konstatoi se për shkak të rrethanave të lartcekura nuk ka kushte për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor, andaj seanca e sotme ndërpritet, seanca e radhës caktohet me datë 26.07.2024 në ora 09:30.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të ngritur me 2 prill 2020, të akuzuarit Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj, në cilësinë personave zyrtar të licencuar operator për X-Ray dhe i akuzuari Martin Biserov Alekov, në cilësinë e inxhinierit të elektronikes dhe në cilësinë e mbikëqyrësit automatik në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, kishin keqpërdorur detyre zyrtare, ku me 18 gusht 2019, derisa kishte qenë greva e punëtorëve të këtij aeroporti, në pjesën ku ishte bërë monitorimi i dy pajisjeve LRDX1 dhe LRDX2 për kalimin e bagazheve të udhëtarëve, të akuzuarit Gurguri dhe Bujupi nuk e kishin monitoruar punën e pajisjeve në monitor, ndërsa Xhekaj nuk e kishte monitoruar zonën sterile të aeroportit për largimin e valixheve.

Për shkak të këtyre mos veprimeve, valixhet kishin rezultuar si të dyshuara nga pajisjet e lartcekura, me ç’rast pajisjet ishin bllokuar prej ngarkesës së bagazheve dhe në mungesë të operatorëve X-Ray.

Sipas prokurorisë, i akuzuari Martin Biserol Alekov, si mbikëqyrës i takëve që lëvizin në aeroport për bartjen e valixheve, kishin ndërhyrë duke e hapur barrierën dhe lëshuar traken që bagazhet të kalojnë nëpër pajisjen VIS HR, i cili sistem është manual dhe hyn në funksion vetëm në rastet reserve ‘Back up’ dhe asnjëherë traka që dërgon bagazhet në VIS HR nuk guxon të operojë pa u kontrolluar imazhet e VIS HR.

Kështu, 99 bagazhe kishin kaluar në këtë mënyrë duke u ngarkuar në depo të aeroplanit nga ana e të akuzuarit Biserov Alekov, si të dyshuara dhe të kontaminuar dhe po ashtu ishin ngarkuar edhe 6 bagazhe të ndara, të dyshuara, të cilat ishte dashur të rikontrollohen nga operatori X-Ray.

Katër të akuzuarit me këto veprime, sipas prokurorisë, kishin rrezikuar jetën e pasagjerëve dhe ekuipazhit, sigurinë e aviacionit civil dhe imazhin e Republikës së Kosovës në arenën Ndërkombëtare.

Sipas aktakuzës, të katër të akuzuarit po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Jon Ramadani

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter