Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës së Prishtinës ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj pesë të akuzuarve për korrupsion. Shqyrtimi gjyqësor i paraparë për sot, datën 13 qershor, dështoi për shkak të mungesës së të akuzuarit Bekim Sabedini, i akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”. Mungesën e arsyetoi mbrojtësi i tij, avokati Fanol Krasniqi, duke u thirrur në shkaqe shëndetësore të të akuzuarit.
Në këtë rast në cilësinë e të akuzuarve janë edhe Liridona Mustafa Sadiku, Jakup Tërnava, Ejup Gërguri dhe Fehmi Mustafa ku secili prej tyre veç e veç akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Rasti po gjykohet nga trupi gjykues i udhëhequr nga kryetari Ertan Sejfulla dhe me anëtarët Fatime Dermaku dhe Naser Foniqi. Seanca e radhës u caktua të mbahet me datë 26 korrik në orën 9:00.
Sipas aktakuzës, Bekim Sabedini ka falsifikuar Aktgjykimin e Gjykatës Komunale në Prishtinë lidhur me një ngastër kadastrale e ndodhur në Fushë Kosovë me sipërfaqe prej 21379 metër katror e administruar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe pronë shoqërore e “KBI Kosova” e cila në këtë procedurë mban epitetin e palës së dëmtuar. Tutje, aktakuza thotë se i akuzuari Sabedini, tek noteri Skender Dumani në Podujevë, ka legalizuar me përmbajtje të rreme Aktgjykimin e falsifikuar me numrin C.nr.1381/90 të datës 30 gusht të vitit 1994. E tërë kjo në bashkëkryerje me Zoran Ballaban i cili sipas aktakuzës ndodhet në arrati.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Sabedini pasi është autorizuar nga Zoran Ballaban për të ndërmarr të gjitha veprimet e mundshme lidhur me parcelën në fjalë, me 22 dhjetor të viti 2015 dhe me aktgjykimin e falsifikuar dhe vendimin e Komunës së Prishtinës me numër 8029 datës 14 prill të vitit 1964, tek noteri Skender Dumani ka noterizuar Aktgjykimin e falsifikuar kështu duke legalizuar përmbajtje të pavërtetë. Përmes këtij aktgjykimi të falsifikuar, me datë 19 korrik të vitit 2016, duke bërë kërkesë në Drejtorinë e Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës në Komunën e Fushë Kosovës ka arritur të regjistrojë parcelën me numër 187/1 në emër të personit Bogdan Ballaban.
Ndërkaq, Liridona Mustafa Sadiku akuzohet se në cilësinë e zyrtares ligjore në Drejtorinë e Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës në Komunën e Fushë Kosovës, ka nxjerrë aktvendim përmes të cilit ka aprovua kërkesën e Bogdan Ballaban pa e verifikuar aktgjykimin në fjalë në Gjykatën Komunale të Prishtinës duke marrë të dhëna nga dy aktgjykime. Kështu, ngastrën e numër 187/1 e marr nga lënda me numër C.nr.1381/90, kurse numrin e lëndës në sipërfaqe 21379 metër katror e merr nga lënda C.nr.1381/90 kurse numrin e lëndës në aktvendim e shkruan C.nr.1378/90, aktgjykim lidhur me ngastrën kadastrale me sipërfaqe 287.2 ari të shitur vite më parë nga Bogdan Ballaban.
Tutje, aktakuza akuzon Ejup Gërgurin se, në cilësinë e personit zyrtar si Operator Kadastral në Drejtorinë e Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës në Komunën e Fushë Kosovës, duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, ka tejkaluar autorizimet zyrtare duke lëshuar certifikatën e pronës në emër të Bogdan Ballaban edhe pse aktvendimi ishte revokuar.
Në vazhdim aktakuza rëndon edhe mbi Fehmi Mustafën i cili në cilësinë e personit zyrtar, duke qenë Shef i Kadastrit në Drejtorinë e Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës në Komunën e Fushë Kosovës, edhe pse ka qenë revokimi i aktvendimit në fjalë, është nxjerrë aktvendimi për bartje dhe posedim të trashëgimisë në emër të të pandehurit Zoran Ballaban nga e akuzuara Liridona Mustafa Sadiku kurse e nënshkruar dhe e vulosur nga i akuzuari Fehmi Mustafa. Sipas aktakuzës i njëjti ka qenë në dijeni se ngastra në fjalë është pronë shoqërore e palës së dëmtuar.
Po ashtu edhe i akuzuari Jakup Tërnava akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar dhe atë të drejtorit në Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Fushë Kosovës duke shfrytëzuar pozitën dhe autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit për vete apo për personin tjetër, pa verifikim të lëndës dhe aktvendimit të datës 22 gusht 2016 ku është aprovuar kërkesa e Bogdan Ballaban ka nënshkruar aktvendimin e përpiluar nga e akuzuara Mustafa Sadiku, duke e ditur se ngastra në fjalë është pronë shoqërore e palës së dëmtuar.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.










