|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Vazhdon shqyrtimi gjyqësor në rastin ‘Subvencionet 1’

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin Special, me trup gjykues, Kujtim Krasniqi në cilësi të kryetarit, Lutfi Shala dhe Valon Kurtaj në cilësi të anëtarëve, sot më datë 14 Qershor ishte paraparë të mbahej seanca e radhës për rastin ‘Subvencionet 1’, me të akuzuar Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Afrim Abazaj dhe

Florim Nimanaj.

Seanca e sotme kishte konsistuar në marrjen në pyetje të akuzuarin e parë Luan Statovci. I akuzuari, në marrjen në pyetje nga Prokurori Special, Rafet Halimi, për video incizimin i cili edhe sot iu paraqit palëve në shikim, është përgjigjur që personi tjetër aty nuk është i akuzuari Sadat Shkodra, megjithatë nuk i është kujtuar se kush ishte. Lidhur me dhënien e parave që shihet në video, gjithashtu nuk i është kujtuar se pse ia ka dhënë, por i akuzuari ka theksuar që nuk kanë qenë para të ndara nga shteti.

Më tej, në pyetjet nga Prokurori duke u bazuar në masat e përgjimeve telefonike, i akuzuari Statovci është përgjigjur që nuk i kujtohet që ka diskutu me D.K dhe që ky i fundi i ka thënë: “a priton me kqyr qaty dy dakika se po më intereson diqka në emër të V.K”. I akuzuari arsyetoi më tej që shumë persona e kanë thirr dhe janë interesu për pagesat dhe në cilën fazë gjenden dhe ndoshta edhe iu ka dhënë ndonjë informatë por asgjë nuk ka pasur të fshehtë aty dhe ato janë të dhëna të publikuara – ka shprehur Statovci.

Më tutje, i akuzuari Luan Statovci ka deklaruar që nuk e njeh Dukagin Mavraj, megjithatë në pyetjet pasuese, Prokurorit ka vënë të akuzuarin në ballafaqim me video-incizimet ku ai (i akuzuari Statovci) ka përmendur një person me emrin Dukagjin, Statovci ka shprehur që nuk i kujtohet për cilin Dukagjin ka qenë duke folur megjithatë ai nuk njeh asnjë Dukagjin Mavraj.

Në pyetjet e mëtejshme, Statovci është vënë në pytje lidhur me procedurat e brendshme dhe vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës që janë nxjerrë në kohën kontestuese që kanë pas të bëjnë me Subvencionet.

Seanca e radhës të shqyrtimit gjyqësor do të mbahet me datë 19 qershor 2024.

Aktakuza e ndryshuar më 4 prill 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon

Luan Statovcin, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim me subvencione”, e të tjera.

Ndërsa, më 19 prill 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”, Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, duke i dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë, të cilët kishin pranuar fajësinë për kryerjen e veprës penale për të cilën akuzohen.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Rina Murseli

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter