|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Mbahet seanca dëgjimore për marrëveshjen për pranimin e fajësisë ndaj të akuzarve për dhënie ryshfeti

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca dëgjimore në lidhje me marrëveshjen për pranimin e fajësisë ndaj të akuzuarve Bajram Krasniqi, Sabri Spahiu, Ahmet Abazi dhe Dardan Isaj, të cilët akuzohen për veprën penale ‘Dhënie ryshfeti’, në pikëkalimin kufitar tek Hani i Elezit.

Gjyqtarja e rastit, Valbona Musliu-Selimaj deklaroi se marrëveshja është arritur nga ana e mbrojtësve dhe të akuzuarve dhe Prokurorit Naim Abazi.

Prokurori Abazi në deklarimin e tij kërkoi që të shqiptohet dënimi me burgim dhe me gjobë në përputhje me dispozitat ligjore të cilat prokuroria konsideron se janë plotësuar kushtet për aprovimin e këtyre marrëveshjeve ndaj të pandehurve dhe në detaje konsideron se janë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën akuzohen të akuzuarit. Prokurori kërkoi nga gjykata që ta aprovoi në tërësi marrëveshjen me rekomandimet përkatëse në lidhje me lartësinë e dënimit.

Po ashtu edhe mbrojtësit e të akuzuarve mbështetën deklarimin e prokurorit Abazi dhe deklaruan se qëndrojnë pranë marrëveshjes dhe se marrëveshja është arritur me vullnet të plotë të të mbrojturve të tyre.

Mbrojtësi Nexhmedin Sejdiu theksoi se marrëveshja e datës 13 shkurt e këtij viti është lidhur me të mbrojturin e tij dhe se i mbrojturi është njoftuar plotësisht me pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë.

Si rrjedhojë e këtyre deklarimeve, gjyqtarja Musliu-Selimaj aprovoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë për katër të akuzuarit.

Mbrojtësit po ashtu heqëm dorë nga ankesa në rast se dënimi është në suaza të marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet sot, me datë 18 qershor 2024.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të akuzuarit Sabri Spahiu, Ahmet Abazi dhe Bajram Krasniqi ngarkohen me veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422, par.2 të Kodit Penal. Po ashtu, i akuzuari Dardan Isaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422, par.1 të Kodit Penal

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Isaj në terminalin doganor në Mitrovicë, në cilësi të pronarit të “D-Mobile Store” – Ferizaj, pas pagesës së mallit të sekuestruar nga Dogana dhe përmbushjes së detyrimeve doganore, me rastin e tërheqjes së mallit, sipas kërkesës së akuzuarit – zyrtarit doganor Sejdiu, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë ryshfet në shumën prej 200 euro.

Ndërsa, i akuzuari Spahiu ngarkohet se në terminalin doganor ZPD Interevropa në Prishtinë, në cilësi të shpediterit – personit përgjegjës për përgatitjen e dokumentacionit për zhdoganim të mallit, para plotësimit të dokumentit doganor DUD për zhdoganim të mallit të subjekteve “D-Mobile” sh.p.k dhe “D-Mobile Store” sh.p.k në Ferizaj, është dakorduar me të akuzuarin Sejdiu se sa para t’ia kërkojë palës të cilën ia ka dërguar i akuzuari zyrtari doganor Sejdiu, kurse pas përfundimit të procedurës së zhdoganimit, si rezultat i veprimit që i akuzuari- zyrtari doganor Sejdiu ia ka dërguar palën në mënyrë të drejtpërdrejtë para hyrjes së terminalit doganor i ka dhënë ryshfet në shumën prej 50 euro.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Abazi më 21 shtator 2021, në pikëkalimin kufitar tek Hani i Elezit, në cilësi të vozitësit të kompanisë “Shero Tours”, gjatë kohës së kontrollimit të autobusit nga i akuzuari – zyrtari doganor Sejdiu, është afruar tek vetura zyrtare ku po qëndronin të akuzuarit Miletiq dhe Caviq, dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë ryshfet një qese me mjaltë dhe brenda saj shumën e parave prej 30 euro të akuzuarit Miletiq.

Edhe i akuzuari Krasniqi, sipas aktakuzës thuhet se më 27 tetor 2021, në pikëkalimin kufitar tek Hani i Elezit, në cilësi të vozitësit të kamionit, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë ryshfet të akuzuarit – zyrtarit policor Aliu, për të shmangur pritjen në kolonë dhe kontrollin e rregullt kufitar, duke ia lënë brenda librezës së kamionit 10 euro ryshfet.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter