Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Bajram Krasniqi, Sabri Spahiu, Ahmet Abazi dhe Dardan Isaj, të cilët akuzohen për veprën penale ‘Dhënie ryshfeti’, në pikëkalimin kufitar tek Hani i Elezit.
Të katër të akuzuarit në aktgjykimin e shpallur nga gjyqtarja e rastit Valbona Musliu-Selimaj, u dënuan secili veç e veç, me dënim me kusht në kohëzgjatje prej 6 muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekszekutohet nëse të akuzuarit nuk kryejnë vepër të re penale në kohëzgjatje prej 2 viteve verifikim. Po ashtu të katër të akuzuarit u dënuan secili veç e veç me dënim me gjobë në vlerë prej 1 mijë euro.
Në emër të paushallit gjyqësor të akuzuarit obligohen të paguajnë shumën prej 50 euro secili veç e veç, si dhe në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave të Krimit shumën prej 100 euro.
Duke marrë parasysh që në seancën dëgjimore për marrëveshjen për pranimin e fajësisë mbrojtësit janë tërhequr nga shfrytëzimi i ankesës ndaj aktgjykimit, aktgjykimi do të bëhet i plotëfuqishëm menjëherë pas pranimit me shkrim nga palët.
Ndryshe, në seancën e mbajtur më 21 maj 2024, gjykata kishte veçuar procedurën për të akuzuarit Bajram Krasniqi, Ahmet Abazi, Sabri Spahiu dhe Dardan Isaj, meqenëse të njëjtit kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të akuzuarit Sabri Spahiu, Ahmet Abazi dhe Bajram Krasniqi ngarkohen me veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422, par.2 të Kodit Penal. Po ashtu, i akuzuari Dardan Isaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422, par.1 të Kodit Penal
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Isaj në terminalin doganor në Mitrovicë, në cilësi të pronarit të “D-Mobile Store” – Ferizaj, pas pagesës së mallit të sekuestruar nga Dogana dhe përmbushjes së detyrimeve doganore, me rastin e tërheqjes së mallit, sipas kërkesës së akuzuarit – zyrtarit doganor Sejdiu, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë ryshfet në shumën prej 200 euro.
Ndërsa, i akuzuari Spahiu ngarkohet se në terminalin doganor ZPD Interevropa në Prishtinë, në cilësi të shpediterit – personit përgjegjës për përgatitjen e dokumentacionit për zhdoganim të mallit, para plotësimit të dokumentit doganor DUD për zhdoganim të mallit të subjekteve “D-Mobile” sh.p.k dhe “D-Mobile Store” sh.p.k në Ferizaj, është dakorduar me të akuzuarin Sejdiu se sa para t’ia kërkojë palës të cilën ia ka dërguar i akuzuari zyrtari doganor Sejdiu, kurse pas përfundimit të procedurës së zhdoganimit, si rezultat i veprimit që i akuzuari- zyrtari doganor Sejdiu ia ka dërguar palën në mënyrë të drejtpërdrejtë para hyrjes së terminalit doganor i ka dhënë ryshfet në shumën prej 50 euro.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Abazi më 21 shtator 2021, në pikëkalimin kufitar tek Hani i Elezit, në cilësi të vozitësit të kompanisë “Shero Tours”, gjatë kohës së kontrollimit të autobusit nga i akuzuari – zyrtari doganor Sejdiu, është afruar tek vetura zyrtare ku po qëndronin të akuzuarit Miletiq dhe Caviq, dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë ryshfet një qese me mjaltë dhe brenda saj shumën e parave prej 30 euro të akuzuarit Miletiq.
Edhe i akuzuari Krasniqi, sipas aktakuzës thuhet se më 27 tetor 2021, në pikëkalimin kufitar tek Hani i Elezit, në cilësi të vozitësit të kamionit, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë ryshfet të akuzuarit – zyrtarit policor Aliu, për të shmangur pritjen në kolonë dhe kontrollin e rregullt kufitar, duke ia lënë brenda librezës së kamionit 10 euro ryshfet.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Leotrim Pajaziti