|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Nis rishtazi gjykimi ndaj ish Drejtorit të Arsimit në Drenas për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur rishtazi gjykimi kundër Sadik Tahiraj, i akuzuar për veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar. Trupi gjykues që po trajton këtë rast kryesohet nga Gent Beka dhe përbëhet prej anëtarëve Medije Bytyqi dhe Dibran Jusufi, gjyqtarë në Departamentin e Krimeve të Rënda në këtë gjykatë.

Në seancën e datës 19 qershor gjykimi filloi rishtazi për shkak të ndryshimit në përbërjen e trupit gjykues, ku në vend të gjyqtarit Agim Kuqi tani është gjyqtari Dibran Jusufi. Kështu, pasi palët në procedurë njëzëri u pajtuan, gjykata nxori aktvendim që të konstatohen të lexuara të gjitha veprimet procedurale të ndërmarra deri tanë në kuadër të këtij gjykimi.

Në gjykimin e sotëm ishte e paraparë të bëhej dëgjimi i dëshmitarëve R.H, I.H, G.M dhe B.P. Dëshmitarët G.M dhe B.P nuk ishin prezent. Ndërkaq, edhe pse të pranishëm në sallë ishin R.H dhe I.H dhe kishte kushte për mbajtjen e seancës, ata nuk arritën të japin dëshminë e tyre. Kjo për arsyeje se Prokurorja e rastit, Dulina Hamiti, bëri të ditur se vetëm brenda pak minutave duhet të ishte prezent në një seancë dëgjimore.

Për këtë arsyeje gjykimi u shty dhe u caktua të mbahet me datë 15 korrik në orën 13:15.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 gusht 2018, Sadik Tahiraj në cilësinë e personit zyrtar, derisa ishte në pozitën e drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Drenas, ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tij.

Në aktakuzë thuhet se këtë e ka bërë me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për organizatën e biznesit “A&I Group” SH.P.K dhe “Al Trade” SH.P.K.

Sipas aktakuzës, që nga fillimi deri në përfundim të projekteve kapitale, ndërtimi i depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas dhe renovimi i kulmit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshevc, janë kryer pa respektuar asnjë procedurë të prokurimit.

Sipas aktit akuzues, për projektin për ndërtimin e depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas, që “ Al Trade” SH.P.K. e ka furnizuar gjatë vitit 2015 me material ndërtimor është kryer pa respektuar asnjë procedurë të prokurimit, në bazë të Memorandumit të Mirëkuptimit lidhur mes  të pandehurit dhe firmës së lartcekur.

Aktakuza thotë se renovimi i kulmit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshevc , ku “A&I Group SH.P.K i ka kryer punimet gjatë vitit 2016, është bërë pa u respektuar asnjë procedurë e prokurimit në marrëveshje gojore me të pandehurin.

Shënim: I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Aulona Alaj

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter