Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ku ish-kryetari i Komunës së Malishevës Ragip Begaj së bashku me Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli, Faton Thaqi dhe Ahmet Rrahmanaj akuzohen për Keqpërdorim të detyrës zyrtare, shpërlarje të parave dhe mashtrim.
Fillimisht, kryetari i trupit gjykues gjyqtari Vesel Ismaili, theksoi se në seancën e sotme do të paraqitet fjala përfundimtare.
Në elaborimin e fjalës përfundimtare, Prokurori Special, Naim Abazi theksoi, se është vërtetuar se me veprimet e të pandehurve, secili vec e vec, dhe të gjithë së bashku kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen. Duke theksuar se Ministria, përkatësishtë personat zyrtarë përgjegjës si dhe zyrtarët e Komunës, kanë bashkëpunuar në mënyrë të kundërligjshme në momentin e inicimit të themelimit të zonës ekonomike në Malishevë.
Tutje, Prokurori Special shtoi se, përgjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se toka e cila është shfrytëzuar për themelimin e zonës ekonimike, nuk ka dalje në rrugë sic pretendohej nga tani të akuzuarit.
Në fund, Prokurori Special, theksoi se nga veprimet e të pandehurve i është shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, si dhe nga trupi gjykues kërkoi që t’i falet besimi aktit akuzes si dhe provave të Prokurorisë Speciale, si dhe të akuzuarit të dënohen sipas ligjit në fuqi.
Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, theksoi se i bashkangjitet fjalës përfundimtare të Prokurorisë Speciale, dhe theksoi se nuk ka për të shtuar asgjë.
Mbrojtësi i të akuzuarit Malë Krasniqi, av. Emrush Kastrati theksoi, se duke pasur përbazë faktin se Prokurori, fjalën përfundimtare ia dërzoi Gjykatës, por jo edhe neve palëve në procedurë, shtoi se për mbrojtjen e tij nuk është e ligjshme, propozimi i Prokurorit që fjalën përfundimtare do ta dërgoj përmes email, ka mundur ta bëjë më herët, tutje shtoi se nga ky veprim i Prokurorit, është tentuar të na vëjë para aktit të kryer.
Avokat Emrush Kastrati theksoi duke kërkuar nga trupit gjykues që seanca e sotme të ndërpritet, dhe të caktohet një seancë tjetër, pasi që të dërgohet kopja e fjalës përfundimtare, tek mbrojtja atëherë edhe ne të paraqesim fjalën përfundimtare. Po ashtu, edhe avokatët e tjerë e përkrahen propozimin e av. Emrush Kastrati.
Sa i përket kësaj kërkese, Prokurori Special, theksoi se është e panevojshme që seanca e sotme të ndërpritet, pasi që fjala përfundimtare është dëgjuar nga mbrojtësit, duke kërkuar nga trupi gjykues, që seanca të vazhdoi dhe mbrojtësit të pajisen me kopje të mjaftushme të fjalës përfundimtare.
Trupi gjykues, morri aktvendim duke, aprovuar propozimin e mbrojtjes dhe rrjedhimisht seanca u ndërpre, pastaj, theksoi se fjala përfundimtare e mbrojtjes do të vazhdoi në seancën e radhës me datë 05 Korrik nga ora 13:30.
Sipas aktakuzës së PSRKS-së të ngritur më 1 korrik 2021, Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaqi, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “Shpëlarje e parave”, ndërsa Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrim”.
Sipas aktakuzës, Begaj akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Malishevës, në bashkëkryerje me ministrin e atëhershëm të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani dhe zëvendësministrin e kësaj ministrie, Faton Thaqi duke shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik, duke e shpallur zonë me interes të veçantë.
Sipas aktit akuzues, Bashkim Krasniqi në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi dhe Kadastër, Malë Krasniqi në cilësinë e shefit të shërbimeve të Gjeodezisë, Hajdin Berisha në cilësinë e nënkryetarit të komunës dhe Faton Thaqi në cilësinë e zëvendësministrit, akuzohen se në bashkëkryerje nga periudha kohore 22 maj 2018 deri më 5 qershor 2018, varësisht nga pozitat, kanë shfrytëzuar autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat e tyre kanë mundësuar shpalljen e zonës me interes të veçantë ekonomik me qëllim të themelimit të Zonës Ekonomike në Komunën e Malishevës, në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në mënyrë që të vazhdohej me procedurat e shpronësimit.
Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari Malë Krsaniqi, pasi e kishte ditur për krijimin e Zonës Ekonomike, kishte blerë pronë në zonat kadastrale Banjë dhe Lladrovc me çmim prej 25 euro për ari, duke qenë në dijeni se këto prona do të shpronësohen nga Qeveria e Kosovës, e ku çmimi do të ishte shumë më i lartë.
Sipas aktakuzës i akuzuari Nazmi Kafexholli, akuzohet se në cilësinë e inspektorit në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, duke qenë në dijeni për krijimin e Zonës Ekonomike, dhe me qëllim që t’i rrit vlerën tokës, kishte marrë me qera pronën e të ndjerit M.H. ku kishte ngritur pemishte për çka kishte përfituar edhe grante nga Ministria e Bujqësisë.
Tutje, sipas aktit akuzues, Ahmet Rrahmanaj nga viti 2007 deri më 2013 në vazhdimësi duke e ditur se parcelat e tokës në pronësi shoqërore janë blerë dhe krijuar me aktivitete kriminale, ka transferuar dhe njëkohësisht ka tentuar të transferojë pronat me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës dhe shmangies nga pasojat juridike.
Në aktin akuzues thuhet se Rrahmanaj, ka privatizuar pronat e “Neëco Mirusha” tokë bujqësore në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në Komunën e Malishevës me çmim artificialisht të ulët 1,222,333.00 euro sipërfaqe prej 1,157 hektarë e 51 ari për 99 vite, për këtë i akuzuari më 11 korrik 2013 ka bërë bartjen e tokës në emër të personit tani të ndjerë M.H. si përfitues i tokës në sipërfaqe prej 203 hektar e 11 ari, ku për këtë transaksion, të akuzuarit i ishin transferuar 200 mijë euro në llogari bankare, mirëpo të njëjtat ia kishte kthyer të ndjerit M.H. dhe gjithë kjo ishte bërë me qëllim të kinse shitblerjes që kishte ndodhur në vitin 2007.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Arton Hoxha