|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dështon gjykimi lidhur me Krim të Organizuar për shkak të mungesës së të akuzuarit

Në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, me datë 20 qershor, ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit Alban Gashi për shkak se i njëjti nuk u paraqit në seancë e as nuk iu përgjigj ftesës së gjykatës. Në seancën ku pritej të mbahej fjala hyrëse prezent ishin Prokurorja e rastit, Florije Shamolli dhe avokati mbrojtës sipas autorizimit Besnik Berisha.

Trupi gjykues në këtë rast përbëhet nga Valbona Musliu Selimaj si kryesuese dhe Musa Konxheli e Valon Kurtaj si anëtarë. Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet me datë 3 Shtator në orën 13 e 15.

Sipas aktakuzës, Alban Gashi në periudhën kohore mes muajit Tetor dhe Nëntor të vitit 2018 u ka ndihmuar të akuzuarve Xhemal Shala, Iskender Sale dhe të ndjerit Nejdet Cusuruglu që të i shmangen arrestimit nga organet ndjekëse të Shqipërisë dhe Kosovës. I akuzuar Gashi, sipas aktit akuzues, ju ka ndihmuar në nxjerrjen e dokumenteve zyrtare, pasaportë dhe letërnjoftim me identitet të rrejshëm, me ç’rast këtë e ka bërë përmes vjedhjes së identitetit të qytetarëve të tjerë. Për këto veprime Prokuroria e akuzon për veprën penale të Dhënies së ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale.

Përveç kësaj i akuzuari Gashi akuzohet edhe për Falsifikim të dokumenteve. Lidhur me këtë vepër i njëjti akuzohet se me datë 24 dhjetor të vitit 2018 me dashje ka falsifikuar një autorizim të lëshuar kinse nga zyra e Noteres Feraseta Pejcinovic në Pejë. Aktakuza thotë se qëllimi ka qenë që kinse autosalloni “Endriti” e autorizon të ndjerin Cusuruglu, me identitetin e rremë, dhe formalizon blerjen e një automjeti të llojit BMW në shumë prej 80 mijë euro.

Në këtë çështje penale përveç Alban Gashit akuzoheshin Xhemal Shala, Sadik Shala, Iskender Sale dhe Labinot Zenelaj për vepra të ndryshme, por që për të lartcekurit ka përfunduar procedura me aktgjykim dënues. Ndërkaq, sa i përket të akuzuarit Gashi rasti është kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme. 

Xhemal Shala, Sadik Shala dhe Iskender Gashi akuzohen për Pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar lidhur me veprën penale Blerja, posedimi ose shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotrope. Ndërsa i akuzuari Labinot Zenelaj akuzohet për veprën penale të Mashtrimit.

Shënim: I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Aulona Alaj

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter