Në Gjykatën e Prishtinës, Departamentin Special, ka prekur fundin gjykimi për vrasjen e politikanit opozitar serb Oliver Ivanoviq në Janar të vitit 2018. Në seancën e datës 21 Qershor 2024 palët në procedurë dhanë fjalët përfundimtare me ç’rast u përmbyll shqyrtimi gjyqësor në këtë rast.
Rasti trajtohet nga trupi gjykues me kryetar Valon Kurtaj dhe anëtarët Valbona Musliu Selimaj dhe Musa Konxheli. Shpallja e aktgjykimit u caktua të bëhet me datë 28 Qershor në orën 9, ku trupi gjykues sqaroi se ka nevojë për kohë shtesë për shkak se rasti është voluminoz.
Fillimisht fjalën e mori Prokurori Special, Burim Qerkini, i cili shfrytëzoi rastin që të tërhiqet nga akuzat që rëndojnë mbi të akuzuarin Rade Basara i cili akuzohej për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Vrasje e rëndë”. Sipas Prokurorit tërheqja nga ndjekja penale për të njëjtin erdhi si pasojë e mungesës së provave.
Lidhur me këtë u deklarua avokati Arbër Osmanaj i cili në seancën e sotme zëvendësoi mbrojtësin e të akuzuarit Basara, Tomë Gashi. Osmanaj tha se tërheqja nga ndjekja penale nga ana e Prokurorisë është e bazuar në fakte ku i dha theks të veçantë alibisë së të akuzuarit Basara, dhe mbi këtë bazë i propozoi trupit gjykues që të nxjerrë aktgjykim refuzues.
Ndërkaq, sa i përket të akuzuarve të tjerë, Ndeljeko Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara Silvana Arsoviq, Dragisha Markovic dhe Zharko Jovanoviq Prokurori deklaroi se është vërtetuar se në veprimet e tyre janë përmbushur elementet e veprave penale për të cilat akuzohen dhe i propozoi trupit gjykues që të njëjtit të i shpall fajtor.
Tutje fjalën e mori avokati Faruk Korenica, mbrojtës i të akuzuarit Ndeljeko Spasojeviq. Në fjalën e tij përfundimtare kërkoi nga trupi gjykues që të bëjë rikualifikimin e njërës nga veprat penale me të cilën akuzohet i mbrojturi i tij. Sipas Korenicës, sa i përket veprës penale të Posedimit të paautorizuar të armëve i mbrojturi i tij duhet të gjykohet për paragrafin e parë të nenit 374, e jo të dytin siç e rëndon aktakuza.
Spasojeviq po ashtu mori fjalën duke qëndruar prapa pafajësisë së tij sa i përket akuzave për Krim të Organizuar, e duke shtuar se kurrë më parë nuk është marrë me kriminalitet e nuk ka qenë asnjëherë më parë i dënuar.
Më tutje fjalën përfundimtare e dha edhe Marko Roshiq me mbrojtësin e tij avokatin Mahmut Halimi. Ky i fundit bëri të ditur qëndrimin e tij sa i përket vrasjes së Ivanoviqit duke thënë se prapa saj qëndrojnë strukturat e larta të udhëheqësisë së shtetit Serb e njëkohësisht duke shfajësuar të akuzuarit se kanë lidhje në këtë vrasje. Kështu ai i propozoi gjykatës që për të mbrojturin e tij të marrë aktgjykim lirues.
Mbrojtësja e të akuzaurës Silvana Arsoviq, avokatja Jovanka Filipoviq, i propozoi trupit gjykues që të nxjerrë aktgjykim lirues dhe që ligjin ta interpretoj në favor të të akuzuarës. E njëjta aktakuzën e quajti kaotike e që bazohet vetëm në supozime. Po ashtu fjalën e mori edhe vetë e akuzuara e cila qëndroi prapa pafajësisë së saj.
Në kuadër të fjalës përfundimtare u deklarua edhe avokati Dejan Vasiq i cili në këtë procedurë mbron të akuzuarin Dragisha Markoviq. Vasiq po ashtu kërkoi nga trupi gjykues që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuzat pasi, sipas tij, nuk është provuar fajësia e të njëjtit.
Si përfundim fjalën e mori avokati Ljubomir Pantoviq, mbrojtës i të akuzuarit Zharko Jovanoviq, i cili gjithashtu i propozoi gjykatës që të mbrojturit të tij të i shqiptoj dënim me kusht sa i përket veprës penale të armëmbajtjes pa leje, kurse të lirohet nga akuzat e tjera.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të ndryshuar më datë 10.11.2020, Nedelkjo Spasojeviq, Rade Basara, Silvana Arsoviq dhe Marko Roshiq akuzohen për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Vrasje e rëndë”.
Për veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” po akuzohet Dragisha Markovic, i cili po ashtu akuzohet se në bashkëkryerje me të pandehurin tjetër Zharko Jovanoviq ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ndërsa ndaj Zharko Jovanoviqit dhe Nedelkjo Spasojeviqit rëndon edhe vepra penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.
Për këtë rast, gjinden në arrati M.R., Z.V. dhe Zh.B, për të cilët prokuroria ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar dhe të cilët dyshohet të kanë qenë udhëheqësit e këtij grupi kriminal.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Aulona Alaj