Projekt i realizuar nga:

Fillon paraqitja e mbrojtjes së të akuzuarve në rastin e ish-kryetarit të Komunës së Leposaviqit dhe të tjerëve

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin e gjykimit për korrupsion dhe krim të organizuar ndaj ish-kryetarit të Komunës së Leposaviqit Dragan Jabllanoviq dhe të tjerëve.

Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Violeta Namani, theksoi se në seancën e sotme do të bëhet paraqitja e mbrojtjes nga ana e të akuzuarve.

Fillimisht, i akuzuari Dragan Jabllanovic, theksoi se dëshiron të deklarohet, por ai shtoi se mbrojtjen nuk mund ta bëjë në seancën e sotme, pasi që nuk i ka të gjitha proces-verbalet e përkthyera.

Propozim të njejtë kishin e të akuzuarit e tjerë të komunitetit serb, dhe rrjedhimisht, shqyrtimi vazhdoi me paraqitjen e mbrojtjes për të akuzuarit të cilët janë të paisur me shkresa të lëndës.

I akuzuari Haxhi Bejta në mbrojtjen e tij, nga pytjet e mbrojtësit të tij av. Ekrem Salihu, theksoi se në bazë të vendimit të Kryetarit të Komunës, ishte angazhuar si zyrtarë i Prokurimit në Komunën e Leposavicit. Tutje, ai shtoi se ka punuar në periudhë prej 5 muajve në këtë pozitë.

Ndërsa, lidhur me aktivitetet e prokurimit, i akuzuari theksoi se përgjatë periudhës në të cilën ka shërbyer janë zhvilluar dy aktivitete të prokurimit dhe të njejtat ishin të publikuara, e po ashtu, ishte zbatuar edhe cështja e konkurrencës.

Ndërsa, sa i përket dosjes së projektit për furnizim me material ndërtimor, i akuzuari theksoi se, nga komisioni është rekomanduar cmimi pasi që ka qenë më i lirë dhe kriter pastaj është përzgjedhur si fitues.

Në vazhdim të mbrojtjes, në pytjet e Prokurorës Speciale, Merita Bina – Rugova, i akuzuari theksoi, në përgjegjësi të tij ishtë përgatitja e dosjes së tenderëve.

Tutje, i akuzuari Haxhi Bejta, theksoi se, njësia kërkuese ishte përgjegjëse për përgatitjen e paramasës, pastaj i njejti theksoi se nga ata ka pranuar dosjen pastaj ka vazhduar me përgatitjen.

Kurse, sa i përket Operatorëve të cilët kanë aplikuar në gjuhën serbe, i akuzuari theksoi se, kanë mundur të ndërhyjnë në paramasë për qëllime të cilat ai theksoi se nuk ka njohuri.

Në mbrojtjen e tij i akuzuari, Nijazi Musliu, nga pytjet e mbrojtësit të tij av. Fisnik Sogojeva, theksoi se, nga të gjithë të akuzuarit e njeh vetëm të akuzuarin Dragan Jabllanovic, me të njejtin është takuar vetëm një herë.

Tutje, ai shtoi se asnjëherë nuk ka qenë në Komunën e Leposaviqit, dhe rrjedhimisht, asnjëherë nuk ka qenë për të shikuar punët në teren dhe me këtë punë është marrë dikush tjetër.

Të akuzuarit, Xhemajl Ferizi, Mehdi Haxhiu dhe Mesur Rama theksuan se, pas konsultimit me mbrojtësit e tyre, do të mbrohen në heshtje. Kurse, i akuzuari Haki Haxhiu theksoi se pasi që në seancën e sotme nuk prezenton mbrojtësi i tij por, është një avokat zëvendësues, i njejti kërkoi nga trupi gjykues që mbrojtjen ta paraqës në seancën e radhës.

Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Violeta Namani, theksoi se seanca e sotme duhet të ndërpritet dhe se në shqyrtimin e radhës do të përkthehen proces-verbalet e kërkuara nga mbrojtja dhe rrjedhimisht do të vazhdohet me paraqitjen e mbrojtjes së të akuzuarve të tjerë.

Seanca e radhës do të mbahet me datë: 22 Korrik nga ora 09:30.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të 13 shtatorit 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.

Sipas aktakuzës, të njëjtit kanë vepruar në formën, duke ndarë fonde nga buxheti i Komunës për kompanitë përfituese në tendere për kryerjen e projekteve të ndryshme, e të cilat nuk janë kryer sic duhet, meqë rast kompanitë përkatëse kanë përfituar dobi pasurore, duke dëmtuar buxhetin publik. Njëkohësisht zyrtarët komunal, në cilësinë e anëtarëve të komisionit kanë bërë pranimin teknik të punimeve të cilat nuk kanë qenë të përfunduara fare, apo se nuk janë përfunduar sipas planit dinamik.

I pandehuri Dragan Jabllanoviq po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal” të organizuar nga neni 283, par. 2 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.

Të pandehurit Haxhi Bejta, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Cedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq dhe Jellica Baraq, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.

Ndërsa, të pandehurit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.5 të KPRK.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter