Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar në rastin ndaj të akuzuarit Liman Buzoku, i cili akuzohet nga Prokuroria Themelore për veprën penale ‘Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik’.
Në seancën e sotme i akuzuari Buzoku u tërhoq nga marrëveshja për pranimin e fajësisë, që kishte lidhur me prokurorin e rastit, tërheqje të cilën e deklaroi mbrojësi i tij, avokati Besnik Berisha.
Mbrojtësi Berisha deklaroi se marrëveshja është lidhur për një arsye familjare të të akuzuarit, dhe se ishte mënyra vetme për tu liruar i akuzuari nga paraburgimi, duke i kërkuar kështu gjykatës që të mos e merr si të vullnetshme marrëveshjen për pranimin e fajësisë.
Ndërsa me aktvendim trupi gjykues aprovoi propozimin për heqje dorë nga marrëveshja.
Tutje, në seancën e sotme u paraqitën edhe fjalët hyrëse të palëve, ku prokurori Bashkim Zeqaj dorëzoi me shkrim dhe deklaroi se qëndron pranë aktakuzës.
Ndërsa mbrojtësi Berisha deklaroi në fjalën hyrëse se çështja nuk është e komplikuar për vlerësim dhe as gjykim, sepse faktet që do të provohen në këtë gjykim do të kenë objekt konteksti mes palëve nëse referencat për disa subjekte ishin apo jo fallco, por ajo se çfarë do të jetë objekt është nëse Liman Buzoku kishte falsifikuar apo kishte qenë në dijeni se këto referenca ishin të pavërteta dhe të kontestueshme.
I akuzuari Buzoku në deklarimin rreth fajësisë u deklarua i pafajshëm.
Në vazhdim, seanca u ndërpre, pasi që anëtarja e trupit gjykues, gjyqtarja Alltëne Murseli kishte një seancë tjetër për të mbajtur.
Kujtojmë se tre seancat e fundit, në muajin shkurt, prill dhe qershor kishin dështuar të mbaheshin, kjo për shkak të mungesës së të akuzuarit Buzoku.
Sipas aktakuzës së ngritur më 30 dhjetor 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Liman Buzoku akuzohet se më 5 maj 2021 në Komunën e Drenasit, në cilësinë e drejtorit të Kompanisë “Matkos Pharm”, me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik. Ai ka paraqitur dokumentacion të rremë, me qëllim që të ndikojë në vendimin përzgjedhës në aktivitetin e prokurimit publik “Furnizim me barëra dhe material shpenzues mjekësor”.
Gjithnjë sipas akuzës, i akuzuari ka ofertuar me referencat: referencë nga “Trident” SHPK, e datës 30 nëntor 2020, referencë nga QKMF-Suharekë e datës 19 gusht 2020, referencë nga “SHPK-Tosi”, e datës 13 nëntor 2020, referencë nga “Lika Pharmacy”, e datës 13 nëntor 2020, referencë nga “Liri-Med” SHPK, e datës 20 nëntor 2020, referencë nga “Nesa Dental” e datës 3 shkurt 2020, referencë nga “Smart Pharm”, e datës 12 nëntor 2020, referencë nga “Valerina”, e datës 13 nëntor 2020, referencë nga “Cani Dent” SH.P.K., e datës 3 shkurt 2020, referencë nga “Gega Pharm”, e datës 15 nëntor 2020, referencë nga “Shemo”, e datës 15 nëntor 2020.
Aktakuza thotë se këto dokumente kanë rezultuar të falsifikuara, e në bazë të tyre kompania “Matkos Pharm” është shpërblyer me kontratë në vlerë prej 68 mijë e 938 euro e 50 centë. Mirëpo, gjatë kohës në pritje të kalimit të afatit të ankesave, Rrjeti i OJQ-ve “Avonet” ka njoftuar Komunën e Drenasit lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, duke dyshuar se Operatori Ekonomik “Matkos Pharme” ka paraqitur dokumentacion të falsifikuar. Pas verifikimit, rezulton se këto dokumente janë të falsifikuara, e më pas është bërë edhe anulimi i tenderit.
Sipas dispozitivit të akuzës, Buzoku ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik” nga neni 415, par.1 të Kodit Penal.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti










