Projekt i realizuar nga:

Lirohet nga akuza noteri i akuzuar për Korrupsion

Pejë- Në Gjykatën Themelore në Pejë, departamenti për krime të rënda, është shpallur aktgjykim lirues në rastin ku po akuzohej noteri Bashkim Stavileci për veprën penale Keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Aktgjykimi ndaj Stavilecit u shpall të enjten nga gjykatësja Nushe Kukaj-Mekaj, raporton ‘’Drejtësia Sot’’.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Bashkim Stavileci lirohet nga akuza pasi që nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën akuzohej.

Palët e dëmtuara janë udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore-juridike.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 19 shtator 2023 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Bashkim Stavileci, ngarkohet se në cilësinë e personit zyrtar gjatë ushtrimit të detyrës së noterit në zyrën e tij në Pejë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe për personin tjetër-shitësin Musa Kuqi, kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin mbi Noterinë. Ai kishte mundësuar përpilimin e kontratës për shitblerjen e patundshëmrisë në mes të shitësve M.R.D, M.Z.D, M.V.D dhe M.V.T, të cilët i ka përfaqësuar M.K, në bazë të autorizimit bartës të vërtetuar nga noterja Nina Stiglicnë në Beograd, në njërën anë e në tjetrën dhe blerësit- të dëmtuarit L.B, F.H dhe S.I në anën tjetër, duke i’a shitur pronën për shumën prej 90 mijë euro.

Ku sipas aktakuzës, i akuzuari Stavileci edhe pse ka pasur për detyrë, nuk e ka konstatuar se autorizimi bartës, nuk është në emër të M.T, siç është cekur në atë, por në emër të M.D dhe bazuar në këtë fakt, M.K nuk ka pasur autorizim nga ana e M.T për shitjen e patundshmërisë e as për realizimin e trashëgimisë dhe përkundër kësaj i pandehuri Bashkim e përpilon dhe e noterizon kontratën e cekur, për shitblerjen e patundshmërisë edhe pse në rastin e noterizimit të kontratës autorizimi bartës ka qenë në emër të M.D, e jo në emër të M.T siç e kishte cekur i akuzuari në kontratën e shitblerjes dhe me këtë veprim i ka shkaktuar dëme të dëmtuarit-blerësit L.B në shumë prej 90 mijë euro.

Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës po autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 të Kodit Penal. 

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

 Monitoruar nga Elvana Hatashi

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter