Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin Special, para trupit gjykues të kryesuar nga Ngadhnjim Arrni dhe me anëtarët Lutfi Shala dhe Mentor Bajraktari, u mbajt seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin e njohur si “Stenta 2”, pjesa e veçuar. Seanca e datës 19 korrik përbën seancën e fundit të shqyrtimit gjyqësor në këtë çështje penale me ç’rast u thanë fjalët përfundimtare nga palët procedurale.
Fillimisht fjalën përfundimtare e dha Prokurorja nga Prokuroria Speciale, Florije Shamolli, e cila përmendi faktin se lënda në rastin “Stenta” është veçuar në disa pjesë për shkak të volumit të madh të lëndës, ku në tërësi janë dëgjuat 43 dëshmitarë. Sipas Prokurores në shumicën e rasteve këta dëshmitarë kanë rrëfyer se kur kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore, për vete apo familjarët e tyre, i janë drejtuar këtyre mjekëve të cilët kanë qenë të lidhur me dy spitalet private. Kështu, e njëjta i propozoi gjykatës që të akuzuarit në këtë rast të i shpall fajtor dhe të i dënoj sipas ligjit.
Tutje fjalën përfundimtare e dha avokati Jeton Asllani si zëvendësim i avokatit Arianit Koci i cili mbron të akuzuarin Elfedin Muhaxheri. Avokati Asllani propozoi që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuzat pasi sipas tij nuk është provuar se ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Këtu fjalën e mori edhe vetë i pandehuri i cili kërkoi nga gjykata që të i kthehet prona të cilën e ka në dorëzani tash e 10 vite.
Në vazhdim fjalën përfundimtare e dha avokati Besnik Berisha i cili mbron të akuzuarin Nexhmi Zeqiri. Avokati Berisha po ashtu i propozoi gjykatës që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuzat që i bien në barrë dhe të urdhëroj lirimin e dorëzanisë.
Më pas fjalën e morri avokati Hazer Susuri, mbrojtësi i të pandehurit Ferid Susuri. Sipas avokatit Susuri nuk ka prova të administruara me të cilat provohen elementet qenësore të veprave penale të cilat i ngarkohen të mbrojturit të tij dhe rrjedhimisht i propozoi gjykatës të nxjerrë aktgjykim lirues.
Tjetri me radhë për dhënien e fjalës përfundimtare ishte avokati Rrezon Hoxha i cili mbron të pandehurën Ferihane Sefa. Avokati Hoxha e quajti aktakuzën për rastin “Stenta” skandalin më të madh që mund të ketë bërë Prokuroria. Sa i përket të mbrojturës së tij Hoxha propozoi që e njëjta të lirohet nga akuzat në mungesë të provave.
Me të njëjtin propozim erdhi edhe mbrojtësi i të pandehurit Masar Gashi, avokati Sefer Morina i cili fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim. Në këtë rast fjalën e mori vetë i akuzuari Gashi i cili për trupin gjykues shpjegoi edhe një herë procedurat e shërimit të sëmundjes së infarktit akut dhe procedurat nëpër të cilat kalonin pacientët që vinin me një sëmundje të tillë.
Ndërkaq, avokati Mehmet Berisha, mbrojtës i të pandehurit Murat Abazi, fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim.
Pasi shqyrtimi gjyqësor në këtë çështje ka përfunduar, shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datë 24 korrik në orën 11:00.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit e rastit “Stenta 2”, Ferihane Sefa, Ferid Susuri, Murat Abazi, Elfedin Muhaxheri, Nexhmi Zeqiri dhe Masar Gashi së bashku me shumë mjekë të tjerë, akuzohen se kanë keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar.
Sipas aktakuzës së PSKR-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga 1 janari 2011 e deri më 31 dhjetor 2015, duke vepruar në bashkëkryerje nga pozita e mjekëve në SHSKUK, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, në atë mënyrë që duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 persona edhe pse të njëjtit i kishin kryer trajtimet mjekësore.
Sipas aktakuzës, një gjë e tillë ishte bërë që personave në fjalë t’ua mundësonin kompensimin e shpenzimeve nga Ministria e Shëndetësisë për trajtim mjekësor në institucione private edhe pse, siç thotë aktakuza, në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi Shëndetësinë, Nr.2004/04, të 19 shkurtit 2014 dhe neneve 16 dhe 25 të Ligjit për Shëndetësinë Nr.04/L-125 të 13 dhjetorit 2012, letrat referuese duhej t’u lëshohej pacientëve në momentin kur konstatohej se pacientët nuk kishin mundësi të trajtoheshin brenda sistemit publik shëndetësor.
Me këto veprime të të akuzuarve, PSRK pretendon se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës është 4,555,553.00 euro. Megjithatë në bazë të një plotësim ekspertize e cila sot është lexuar në kuadër të provave materiale, eksperti financiar ka konkluduar në ekspertizë që dëmi total i shkaktuar në fakt paska qenë vlera 11,430.00 Euro.
Po ashtu, aktakuza i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2” se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjike në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marrë ryshfet.
Sipas aktakuzës, për çdo pacientë që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 euro ryshfet.
Këto veprimet të tyre, sipas PSRK-së, të akuzuarit i kishin kryer në bashkëpunim me të akuzuarit që tashmë janë të përfshirë në rastin “Stenta 3”, ku janë kryesisht pronar e mjekë të spitaleve private.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Aulona Alaj