Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, këtë të martë është dhënë fjala përfundimtare ndaj të akuzuarit Besim Haxhijaha i cili po akuzohet për veprën penale Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar.
Fjalën e saj përfundimtare prokurorja e shtetit Dëshire Jusaj e dorëzoi me shkrim, ku ndër të tjera tha se, nga provat e administruara, dëgjimi i dëshmitarëve si dhe provat e tjera është vërtetuar përshkrimi faktik i veprës për të cilën ngarkohet i akuzuari Haxhijaha, ku ajo i propozoi gjykatës që të akuzuarin ta shpall fajtor dhe i njëjti të dënohet sipas ligjit.
Në fjalën e tij përfundimtare mbrojtësi i të akuzuarit Besim Haxhijaha, av. Myhedin Bekeri, të njëjtën e dorëzoi me shkrim duke shtuar se, nga veprimet e të mbrojturit të tij mungojnë elementet e dashjes, pasi që sipas tij i njëjti është vënë në lajthim si dhe në fund i propozoi gjykatës që të mbrojturin e tij konform nenit 363 të KPPK-së ta liroi nga akuza pasi që ka rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale.
Shpallja e aktgjykimit do të bëhet sot në orën 14:15.
Kujtojmë që sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 9 gusht 2023, aktakuzë ndaj të pandehurit Besim Haxhijaha, ku sipas aktakuzës, i pandehuri Besim Haxhijaha, në korrik 2021 deri në prill 2022 në cilësinë e sportelistit të Postës së Kosovës – Dega në Rahovec, ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër apo ti shkaktojë dëm pasuror personit tjetër, kundërligjshëm i ka dhënë asistencën sociale personit tjetër N.N në emër të M.O nga fshati Petkoviç, Komuna e Rahovecit, por me banim në Slloveni. Tutje në aktakuzë thuhet se, në atë mënyrë nga i pandehuri, personi N.N ka tërhequr trembëdhjetë asistenca sociale në shumë të përgjithshme prej 1 mijë e 596 euro, dhe atë në dhjetë fletëpagesat e postës. Ashtu që i pandehuri Haxhijaha me veprimin e tij të kundërligjshëm, në emër të të dëmtuarës M.O, buxhetit të Republikës së Kosovës-Ministrinë për punë, Mirëqenie sociale dhe Transfere i shkakton dëm materiale në vlerë të përgjithshme prej 1 mijë e 596 euro.
Me këto veprime, i pandehuri Haxhijaha akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Shënim: I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi










