Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të Rënda, me trup gjykues: Kryetare e trupit gjykues, gjyqtarja Fatime Dërmaku dhe gjyqtarët Naser Foniqi, Ertan Sejfulla në cilësi të anëtarëve, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale ndaj të pandehurve, Nebih Shatri, Kadri Krasniqi ish – zyrtarë të MI dhe ish – Këshilltarit Politik në MI, Pjetër Ndou.
Seanca ka vazhduar me paraqitjen e mbrojtjes, së të akuzuarit Pjetër Ndou.
Në mbrojtjen e tij, i akuzuari Pjetër Ndou, nga pytjet e av. Meshari Selimaj, theksoi se në vitin 2018, kishte qenë i angazhuar në pozitën e Këshilltarit Politik të Ministrit të Infrastrukturës, ndër të tjera shtoi se në përgjegjësi të tij kishte qenë edhe monitorimi i departamentit të shoferëve, transportit dhe automjeteve.
Ndërsa, sa i përket pjesës së akuzës, në pjesën e ushtrimit të ndikimit, lidhur me bisedat e zhvilluara me personat të cilët përmendën në aktakuzë, i akuzuari Pjetër Ndou theksoi se, në asnjë rast të vetëm në karrieren e tij, nuk kishte ndodhur të jetë përfshirë në ndonjë mënyrë, sa i përket ndonjë tenderi, apo punësimi, kalimi të ndonjë kandidati për patentë-shoferë.
I akuzuari Ndou, shtoi se njërin person e njeh, dhe i njejti i kishte thënë se qëllimshëm një kandidat po rrëzohet nga provimi, tutje theksoi se, këtë rast e ka shikuar se cfarë është duke ndodhur, kishte provuar që të kontaktonte me njësinë e patentë shoferëve, ndërsa, këtë person shtoi se nuk e njeh dhe nuk e ka takuar asnjëherë.
Në vazhdim, sa i përket një kandidati tjetër, për të cilin kishte biseduar me Ministrin e Infrastrukturës, i akuzuari Pjetër Ndou, sa i përket kësaj bisede theksoi se, ka pasur ankesë për këtë person, po e rrëzojnë nga provimi, dhe vetëm i ishte kërkuar që të shikonte se cfarë ka ndodhur me të, ndërsa, se kush ishte ky person, i akuzuari Ndou shtoi se nuk e njeh të njejtin.
Kurse, në një mbledhje ditore, kishte pasur një ankesë, nga njëri Zëvendës Ministër, lidhur me një qytetar të quajtur Y.B. e kishte ndalur në rrugë dhe i kishte thënë se e kanë rrëzuar disa herë nga testi, pastaj theksoi se të akuzuarit Ndou i ishte kërkuar që të merrej me këtë rast, kishte kërkuar info se cfarë është duke ndodhur me të pasi ka hyrë disa herë, dicka tjetër nuk ka ndodhur.
Ndërsa, sa i përket personit, përkatësishtë UD. Drejtorit të njësisë së Patent-shoferëve, Mirdit Emini, i akuzuari theksoi se, nuk ka njohuri nëse ky person ka qenë pjesë e ndonjë komisioni për Ekzaminer.
Lidhur me personat të cilët përmendën në akuzë dhe kanë qenë Zyrtarë të Ministrisë, i akuzuari theksoi se nga asnjëri prej tyre, nuk kishte kërkuar asnjë favor apo punë për t’i kryer.
Ndërsa, sa i përket dy të akuzuarve, Nebih Shatri dhe Kadri Krasniqi, i akuzuari Ndou, theksoi se nga të njejtit nuk ka kërkuar asnjëherë, ndonjë favor.
Në pytjen e Prokurorit të shtetit, Kujtim Munishi, lidhur me detyrat e tij i cili ishte emëruar nga Ministri, i caktuar si monitorues, i akuzuari theksoi se, kishte pranuar një vendim në të cilin ishte caktuar si monitorues i tre departamenteve, në vendim nuk ka asgjë për detyra specifike.
Në fund, të mbrojtjes, i akuzuari Pjetër Ndou, theksoi se i gjithë angazhimi i tij ishte i përqëndruar në të mirë të Ministrisë, dhe cdo kërkesë e tij kishte qenë për të shikuar se cfarë ka ndodhur me mbarvajtjen e procesit të tyre për patent-shoferë.
Seanca ka vazhduar me paraqitjen e fjalës përfundimtare.
Në fjalën përfundimtare, Prokurori i shtetit, Kujtim Munishi, theksoi se të njejtën e kanë përgatitur me shkrim dhe nga një kopje e dorëzoi tek palët në procedurë, përkatësishtë Gjykatës dhe mbrojtjes.
Kurse, sa i përket, palës së dëmtuar, Ministrisë së Infrastrukturës, me parashtresë e kanë njoftuar Gjykatën, se nuk mund të prezentojnë në seancën e sotme, por të njejtit kanë theksuar se do të paraqesin kërkesë pasurore-juridike.
Mbrojtësi i të akuzuarit Nebih Shatri, av. Driton Musliu, në fjalën përfundimtare, theksoi se, pretendimet e Prokurorisë për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga i mbrojturi i tij nuk janë vërtetuar përgjatë këtij procesi, në këtë rast shtoi se nuk është përmbushur elemtenti i veprës penale për të cilën akuzohet i mbrojturi i tij, andaj i njejti nga trupi gjykues kërkoi aktgjykim lirues.
Mbrojtësi i të akuzuarit Kadri Krasniqi, av. Murat Paqarada, në fjalën përfundimtare, theksoi se, akuza e ngritur ndaj te mbrojturit tim, është e pabazuar në prova, rrjedhimisht nga trupi gjykues kërkoi aktgjykim lirues.
Mbrojtësi i të akuzuarit Pjetër Ndou, av. Meshari Selimaj, në fjalën përfundimtare theksoi se, përgjatë shqyrtimit gjyqësor, është vërtetuar se i mbrojturi i tij nuk është personi zyrtar i cili ka marrë ndonjë përfitim për vete, nga Gjykata, kërkoi aktgjykim lirues për të mbrojturin e tij.
Trupi gjykues, konstatoi se shqyrtimi gjyqësor ka përfunduar dhe shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datë: 31 Korrik nga ora 10:50.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 6 nëntor 2020 nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, Nebih Shatri dhe Kadri Krasniqi ngarkohen se si persona zyrtar, në bashkëkryerje me qëllim që të tjerët të përfitojnë e duke e shfrytëzuar detyrën e tyre zyrtare kanë tejkaluar kompetencat, përkatësisht nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare.
Siç thuhet në aktakuzë, Shatri duke qenë në pozitën e u.d. Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), në kundërshtim me nenin 21 pika 2 të Udhëzimit Administrativ nr. 08/2016 nuk ka lidhur kontratat pune me pyetësit e angazhuar A.B, L.L, B.P, A,R, A.Sh, S.S, E.B, B.B, M.B, V.K, L.A, F.F, D.B, E.K, S.K, I.K, H.S, S.K, A.G, V.B, ashtu që ka lejuar që të njëjtit të punojnë gjatë vitit 2017 dhe 2018, Në Njësitë Rajonale për Patentë Shoferë në Prishtinë, Mitrovicë, Gjakovë, Pejë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan.
Ndërkaq, në aktakuzë thuhet se Krasniqi duke qenë në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Automjeteve në MI, me dijeninë e të akuzuarit Shatri, gjatë vitit 2017 dhe 2018 ka lejuar hapjen e konkursit për provim për licencim për pyetës teorik për patentë shoferë, pa asnjë planifikimi paraprak, ka licencuar pyetës në njësit rajonale në tërë territorin e Republikës së Kosovës, në kundërshtim me nenin 4 pika 1.6 të Udhëzimit Administrativ nr.08/2016, nuk ka bërë verifikimin e pyetësve, kështu që ka licencuar L.A, E.B, A.Sh, S.S, L.A, F.F, B.B, F.B, E.H, H.T, R.C, E.K, I.K, A.M, D.B, V.B, F.Ç, F.Q.
Gjithmonë sipas aktakuzës thuhet se Krasniqi në kundërshtim me nenin 1.7 të njëjtit Udhëzim, ka licencuar S.K. G.K, dhe V.L, me ç’ rast të akuzuarit Shatri dhe Krasniqi i kanë shkaktuar dëm në shkallë të madhe Buxhetit të Kosovës.
Me këto veprime prokuroria i ngarkon ata se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par. 1 lidhur me par 2.1 dhe 2.2 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në dipozitivin e dytë të aktakuzës, Pjetër Ndou ngarkohet se në mënyrë të drejtpërdrejtë e me qëllim të përfitimit në të tjerëve, duke qenë në pozitën e këshilltarit politik në MI në vazhdimësi ka ushtruar ndikim tek zyrtarët e të njëjtës ministri, për dhënien e provimit të testit teorik për patentë shofer, punësim dhe tender.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Ndou në kundërshtim me pozitën e tij zyrtare ka ndikuar në komisionin përzgjedhës për ekzaminer, gjerësisht tek kryetari i komisionit-dëshmitari Mirdit Emini se si të bëhet përzgjedhja e kandidatëve për ekzaminer.
Me këto veprime prokuroria e ngarkon Ndou se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Ushtrim ndikimi” nga neni 431, par 1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Arton Hoxha