Në Gjykatën Themelore në Pejë- Departamenti për Krime të Rënda është dhënë fjala përfundimtare ndaj zyrtarëve komunal të komunës së Deçanit, Ramë Melaj si Drejtor i Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Halil Tolaj si Drejtor i Drejtorisë së Inspektoratit dhe Jashar Hulaj si Shef i Sektorit për Inspekcion që të tre të akuzuar për korrupsion.
Fjalën e saj përfundimtare prokurorja e shtetit Lumturije Vuçetaj e ka dorëzuar me shkrim, të njëjtën e ka elaboruar në pika të shkurtëra, ku ndër të tjera tha se, me veprimet e të pandehurve Ramë Melaj, Jashar Hulaj dhe Halil Tolaj janë konsumuar elementet e veprës penale për të cilën janë ngarkuar dhe saktësisht është vërtetuar gjendja faktike si në dispozitiv të aktakuzës. Andaj, ka kërkuar nga gjykata që ndaj të njëjtëve të shqiptohet një dënim meritor. Dhe në fund tha se ligji është i barabartë për të gjithë dhe askush nuk është mbi ligjin çoftë në pozita politike çoftë në pozita zyrtare publike dhe secili bart mbi vete shkeljen e ligjit dhe do të udhëhiqen procedurat, pra askush nuk lejohet të veproj në kundështim me ligjin.
Më pas fjalën e tij përfundimtare e ka dhënë mbrojtësi i të akuzuarit Ramë Melaj, av. Kujtim Kërveshi i cili të njëjtën e ka dorëzuar me shkrim, i cili tutje tha se, leja është lëshuar në përputhje me ligjin, pasi që nuk mund të lëshohet një leje jashtë standartit ligjor, vija rregullative pra vija e kuqe nuk është shkelur asnjë milimetër, objekti është ndërtuar brenda asaj vije në metrat që i lejon ligji. Në fund shtoi se, në asnjë nga pikat e aktakuzës nuk mund të vërtetohet dashja direkte, dhe se nga asnjë nga dispozitivat nuk ka shkelur detyrën zyrtare, nuk ka vepruar në interes privat apo të kërkujt, ka vepruar në interes të të mirave të përgjithshme.
I pandehuri Ramë Melaj tha se e mbështet fjalën e mbrojtësit të tij, duke shtuar se nuk ka përfituar e as nuk e ka ndihmuar askënd që të përfitoj.
Tutje fjalën e tij përfundimtare e dha edhe mbrojtësi i të akuzuarit Jashar Hulaj, av. Mustafë Kastrati, i cili e dorëzoi me shkrim ku ndër të tjera tha se, në fjalën e shkruar përfundimtare ka sqaruar në detaje se i akuzuari Jashar nuk ka pas kompetencë, as detyrë të përcaktuar me asnjë akt normativ as ligj në fuqi i cili ka obliguar këtu të akuzuarin me ndërmarrjen e veprimeve për të cilat ngarkohet nga prokuroria, përkundrazi po të kishte ndërmarr një veprim të tillë do të kishte kryer vepër penale. Në fund tha se, mbetet pranë proozimit të dhënë në fjalë përfundimtare që aktakuza ndaj të akuzurit Jashar Hulaj të refuzohet si e pabazuar.
Fjalën e tij përfundimtare e ka dhënë edhe i pandehuri Jashar Hulaj i cili tha se mbetet pranë fjalës përfundimtare të mbrojtësit të tij duke sqaruar se kur kemi vendos shiritat ka qenë me inspektor të tregut kanë qenë pronarët G.M dhe H.M, prokuroria e ka urdhëruar që t’i vendosin shiritat ku i njëjti ka pranuar urdhërinë jashtë kompetencave të tij.
Si dhe fjalën e tij përfundimtare të dorëzuar me shkrin e ka dhënë mbrojtësi i të akuzuarit Halil Tolaj, av. Florian Fetahu, i cili e elaboroi shkurtimisht, veprimet i rrjedhin vetëm inspektorit dhe jo drejtorit të inspeksionit, pra nga stadi i fillimit e deri tek finalizimi i ndërtimit ta monitoroj dhe mbikqyr inspektori ndërtimor, dhe i njëjti në fund i propozoi gjykatës që pas vlerësimit të provave një nga një dhe në lidhmëri me njëra tjetrën të liroj nga akuza të mbrojturin e tij.
Dhe në fund i pandehuri Halil Tolaj tha se, prokuroria po insiston që një drejtor i një drejtorie komunale ta konisderoj si një organ punësimi qka nuk është ashtu sepse në çdo komunë jo vetëm në Komunën e Deçan organ punësimi është kryetari i komunës përmes zyrës së personelit. Dhe në fund tha se, punimet kanë qenë të ndërprera me datë 05.03.2021 dhe kur prokuroria ka qenë në terren me inspektor jokompetent objekti ka qenë i kryer.
Më përfundimin e shqyrtimit gjyqësor me datën 07.08.2024 do të bëhet shpallja e aktgjykimit.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, të datës 18 korrik 2022, i pandehuri Ramë Melaj në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit, ngarkohet për 4 dispozitiv për veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së.
Ndërsa sa i përket të akuzuarve Jashar Hulaj dhe Halil Tolaj, duke vepruar në bashkëkryerje , i pandehuri Halil si drejtor i Drejtorisë së Inspektoratit, K. Deçan, ndërsa i pandehuri Jashar si Shef i Sektorit për Inspekcion pranë kësaj drejtorie, ngarkohen për veprën penale “Keqperdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar“ nga neni 414 par. 2 lidhur me par. 1, nenin 31 dhe 77 të KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi