Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ndaj të akuzuarit Ismet Kunushevci, i cili akuzohet për veprën penale ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik’.
Në seancën e sotme u dëgjua dëshmitari J.H, analist i të dhënave në Administratën Tatimore të Kosovës, i cili në pyetjet e prokurorit Kujtim Munishi lidhur me nxjerrjen e vërtetimit tatimor deklaroi se nuk është në kompetencën e tij verifikimi i vërtetimit, pasi që vetëm bëjnë nxjerrjen e të dhënave dhe përpilimin e raporteve bazuar në të dhëna.
Ndërsa lidhur me rastin në fjalë dëshmitari deklaroi se edhe sipas korrespodencave me email vetëm ka dërguar raport mbi nxjerrjen e vërtetimeve tatimore nga tatimpaguesi për vitin 2022.
Tutje, në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Ahmet Gjinovci, dëshmitari theksoi se qëndron pranë deklaratave të dhëna më herët në prokurori dhe polici.
Në seancën e sotme u administruan edhe provat materiale si dhe i akuzuari paraqiti mbrojtjen e tij.
Në mbrojtjen e tij, i akuzuari deklaroi se vërtetimin e kanë dërguar në Policinë e Kosovës pas ftesës për marrjen e atij tenderi dhe me shpejtësi është dorëzuar vërtetimi nga punëtori i administratës dhe po të njëjtën ditë nga organet e prokurimit jemi njoftuar se ai vërtetim nuk është në rregull, dhe ne në fund nuk e kemi fituar atë tender, ku nuk kemi bërë asnjë dëm, as ndaj MPB-së, e as ndaj ATK-së, pasi jemi të liruar nga tatimi, deklaroi i akuzuari Kunushevci.
Në fund të seancës, trupi gjykues mori aktvendim që në seancën e ardhshme të dëgjohen në cilësinë e dëshmitarëve personat zyrtar që kanë trajtuar këtë rast, përkatësisht dosjen e tenderit përkatës në Policinë e Kosovës dhe poashtu nga ATK-ja do të kërkohet kush e ka lëshuar vërtetimin e datës 24 gusht 2022, si dhe a ka pasur aplikim dhe a është lëshuar ky vërtetim nga ATK sipas aplikimit përkatës.
Seanca e radhës u caktua të mbahet me datë 7 tetor 2024, nga ora 09:00.
Sipas aktakuzës së ngritur me 19 tetor 2023, Ismet Kunushevci akuzohet se në cilësinë e pronarit të kompanisë “Beni com” me vetëdije kishte shkelur rregullat e prokurimit publik, ashtu që gjatë ofertës për dhënie të kontratës së prokurimit publik nga Policia e Kosovës për marrjen me qira të makinerive, Kunushevci kishte prezantuar vërtetimin, i cili konsiderohet i rremë.
Me këto veprimet, Konushevci akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurimin publik” nga neni 415, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të
vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti










