Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ndaj Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj dhe Martin Biserov, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në seancën e sotme u dëgjua dëshmitari K.B, Zëvendësmenaxher i sigurimit dhe skenimit, i cili në pyetjet e prokurorit Besnik Jakupi deklaroi se mbetet në tërësi pranë deklaratës së dhënë më herët në Policinë e Kosovës.
Në kohën e ndodhjes së rastit, dëshmitari deklaroi se ka qenë operator i skenimit dhe në ditën kritike theksoi se ka qenë duke punuar në pikat e skenimit të udhëtarëve në shkuarje, ndërsa nuk ka qenë tek pika ku kalojnë bagazhet dhe nuk ka parë kalimin e bagazheve dhe nuk ka njohuri se nga kanë kaluar.
Ndërsa lidhur me personin përgjegjës deklaroi se në atë rast është operatori i cili punon me pajisjen dhe atë ditë përgjegjës ka qenë V.L, udhëheqës i ndërrimit, E.L si zëvendësmenaxher i skenimit dhe operatorët, tashmë të akuzuarit Faton Gurguri, Endi Bujupi dhe Visar Xhekaj.
Tutje, në pyetjet e gjyqtarit Gëzim Ademi, lidhur me aktivizimin e trakës në mënyrë manuale për kalim të bagazheve, dëshmitari deklaroi se e kanë bërë operatorët përkatës në bazë të njohurive që ka.
Prezente në seancën e sotme ishte edhe përfaqësuesja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’, Leonora Fejzullahu.
Për shkak që gjyqtari Gëzim Ademi kishte seancë tjetër të planifikuar, seanca sotme u ndërpre dhe e njëjta do të vazhdon me datë 17 tetor 2024, nga ora 09:30.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të ngritur me 2 prill 2020, të akuzuarit Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj, në cilësinë personave zyrtar të licencuar operator për X-Ray dhe i akuzuari Martin Biserov Alekov, në cilësinë e inxhinierit të elektronikes dhe në cilësinë e mbikëqyrësit automatik në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, kishin keqpërdorur detyre zyrtare, ku me 18 gusht 2019, derisa kishte qenë greva e punëtorëve të këtij aeroporti, në pjesën ku ishte bërë monitorimi i dy pajisjeve LRDX1 dhe LRDX2 për kalimin e bagazheve të udhëtarëve, të akuzuarit Gurguri dhe Bujupi nuk e kishin monitoruar punën e pajisjeve në monitor, ndërsa Xhekaj nuk e kishte monitoruar zonën sterile të aeroportit për largimin e valixheve.
Për shkak të këtyre mos veprimeve, valixhet kishin rezultuar si të dyshuara nga pajisjet e lartcekura, me ç’rast pajisjet ishin bllokuar prej ngarkesës së bagazheve dhe në mungesë të operatorëve X-Ray.
Sipas prokurorisë, i akuzuari Martin Biserol Alekov, si mbikëqyrës i takëve që lëvizin në aeroport për bartjen e valixheve, kishin ndërhyrë duke e hapur barrierën dhe lëshuar traken që bagazhet të kalojnë nëpër pajisjen VIS HR, i cili sistem është manual dhe hyn në funksion vetëm në rastet reserve ‘Back up’ dhe asnjëherë traka që dërgon bagazhet në VIS HR nuk guxon të operojë pa u kontrolluar imazhet e VIS HR.
Kështu, 99 bagazhe kishin kaluar në këtë mënyrë duke u ngarkuar në depo të aeroplanit nga ana e të akuzuarit Biserov Alekov, si të dyshuara dhe të kontaminuar dhe po ashtu ishin ngarkuar edhe 6 bagazhe të ndara, të dyshuara, të cilat ishte dashur të rikontrollohen nga operatori X-Ray.
Katër të akuzuarit me këto veprime, sipas prokurorisë, kishin rrezikuar jetën e pasagjerëve dhe ekuipazhit, sigurinë e aviacionit civil dhe imazhin e Republikës së Kosovës në arenën Ndërkombëtare.
Sipas aktakuzës, të katër të akuzuarit po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të
vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti