Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot me datë 03.09.2024, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor kundër Sadik Tahiraj, i akuzuar për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’. Trupi gjykues që po trajton këtë rast kryesohet nga gjyqtari Gent Beka dhe përbëhet prej anëtarëve gjyqtarja Medije Bytyqi dhe gjyqtari Adnan Kamberi.
Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gent Beka, në konstatimin e palëvë në procedur, ka njoftuar për mungesën në këtë seancë në cilësi të dëshmitarëve: përfaqësuesen e autorizuar të Komunës së Drenasit, e cila ka njoftuar gjykatën se e njejta gjindet në pushim të lehonis dhe dëshmitarit tjetër Bujar Plakiqi, i cili gjithashtu ka njoftuar gjykatën që për arsye shëndetësore të shkaktuar nga një aksident, nuk mundë të jetë prezent dhe ku ka dërguar dokumentacion mjekësor si dëshmi.
Tutje, kryetari i trupit gjykues, në munges të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, ka vendosur që të njejtën ta shtyej për dt.30 Shatator 2024 në ora 09:15
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 gusht 2018, Sadik Tahiraj në cilësinë e personit zyrtar, derisa ishte në pozitën e drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Drenas, ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tij.
Në aktakuzë thuhet se këtë e ka bërë me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për organizatën e biznesit “A&I Group” SH.P.K dhe “Al Trade” SH.P.K.
Sipas aktakuzës, që nga fillimi deri në përfundim të projekteve kapitale, ndërtimi i depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas dhe renovimi i kulmit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshevc, janë kryer pa respektuar asnjë procedurë të prokurimit.
Sipas aktit akuzues, për projektin për ndërtimin e depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas, që “ Al Trade” SH.P.K. e ka furnizuar gjatë vitit 2015 me material ndërtimor është kryer pa respektuar asnjë procedurë të prokurimit, në bazë të Memorandumit të Mirëkuptimit lidhur mes të pandehurit dhe firmës së lartcekur.
Aktakuza thotë se renovimi i kulmit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshevc , ku “A&I Group SH.P.K i ka kryer punimet gjatë vitit 2016, është bërë pa u respektuar asnjë procedurë e prokurimit në marrëveshje gojore me të pandehurin.
Shënim: I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Ilir Kocani