Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ndaj Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj dhe Martin Biserov, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në seancën e sotme u dëgjua dëshmitari K.G, udhëheqës i divizionit për siguri dhe aviacionit civil, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Dëshmitari K.G në deklarimin e tij theksoi se i akuzuari Martin Biserov-Alekov, nuk kishte qenë i autorizuar, e as i certifikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme për të ndërhyrë duke hapur barrierën dhe lëshuar trakën që bagazhet të kalojnë nëpër pajisjen VIS HR, poashtu i njëjti deklaroi se vetëm operatorët e trajnuar dhe të licencuar nga MPB-ja janë përgjegjës për ekzaminimin e pasagjerëve dhe bagazheve.
Veprimin e të akuzuarit Martin Biserov-Alekov, dëshmitari deklaroi se e sheh si një incident serioz, pasi i akuzuari në kundërshtim me ligjin kishte përdorur dhe ndërhyrë në pajisjet përkatëse, duke rrezikuar sigurinë e pasagjerëve dhe të aeroportit.
Ndëra për të akuzuarit tjerë, Faton Gurguri, Endi Bujpi, si dhe Visar Xhekaj, dëshmitari deklaroi se nuk kishte mundur të vërtetojë nëse kishin kryer veprën penale, siç përshkruhet në aktakuzën e Prokurorisë.
Kujtojmë se në seancën e kaluar, përfaqësuesja e palës së dëmtuar- Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Leonora Fejzullahu, ka paraqitur deklaratën e tërheqjes si palë e dëmtuar në këtë rast, si dhe nga ndjekja penale ndaj të akuzuarve poashtu.
Për shkak të përfundimit të orarit të punës, seanca e sotme është ndërprerë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të ngritur me 2 prill 2020, të akuzuarit Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj, në cilësinë personave zyrtar të licencuar operator për X-Ray dhe i akuzuari Martin Biserov Alekov, në cilësinë e inxhinierit të elektronikes dhe në cilësinë e mbikëqyrësit automatik në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, kishin keqpërdorur detyre zyrtare, ku me 18 gusht 2019, derisa kishte qenë greva e punëtorëve të këtij aeroporti, në pjesën ku ishte bërë monitorimi i dy pajisjeve LRDX1 dhe LRDX2 për kalimin e bagazheve të udhëtarëve, të akuzuarit Gurguri dhe Bujupi nuk e kishin monitoruar punën e pajisjeve në monitor, ndërsa Xhekaj nuk e kishte monitoruar zonën sterile të aeroportit për largimin e valixheve.
Për shkak të këtyre mos veprimeve, valixhet kishin rezultuar si të dyshuara nga pajisjet e lartcekura, me ç’rast pajisjet ishin bllokuar prej ngarkesës së bagazheve dhe në mungesë të operatorëve X-Ray.
Sipas prokurorisë, i akuzuari Martin Biserol Alekov, si mbikëqyrës i takëve që lëvizin në aeroport për bartjen e valixheve, kishin ndërhyrë duke e hapur barrierën dhe lëshuar traken që bagazhet të kalojnë nëpër pajisjen VIS HR, i cili sistem është manual dhe hyn në funksion vetëm në rastet reserve ‘Back up’ dhe asnjëherë traka që dërgon bagazhet në VIS HR nuk guxon të operojë pa u kontrolluar imazhet e VIS HR.
Kështu, 99 bagazhe kishin kaluar në këtë mënyrë duke u ngarkuar në depo të aeroplanit nga ana e të akuzuarit Biserov Alekov, si të dyshuara dhe të kontaminuar dhe po ashtu ishin ngarkuar edhe 6 bagazhe të ndara, të dyshuara, të cilat ishte dashur të rikontrollohen nga operatori X-Ray.
Katër të akuzuarit me këto veprime, sipas prokurorisë, kishin rrezikuar jetën e pasagjerëve dhe ekuipazhit, sigurinë e aviacionit civil dhe imazhin e Republikës së Kosovës në arenën Ndërkombëtare.
Sipas aktakuzës, të katër të akuzuarit po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të
vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti