Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot me datë 04.09.2024, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor kundër Sylejmon Pllana, i akuzuar për veprat penale: ‘Marrje ryshfeti & Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’. Trupi gjykues që po trajton këtë rast kryesohet nga gjyqtari Gent Beka dhe përbëhet prej anëtarëve gjyqtarja Medije Bytyqi dhe gjyqtari Adnan Kamberi.
Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gent Beka, në konstatimin e palëvë në procedur, ka njoftuar për mos prezencë në këtë seancë të akuzuarit Sylejmon Pllana dhe të dëshmitarëve: Q.M dhe Xh.J, për të cilët gjykata do ndërmarr veprime procedurale për sigurimin e prezencës së tyre në seancën tjetër, ndërsa prezent ishte dëshmitari tjetër N. P.
Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Nexhmi Sejdiu, ka njoftuar trupin gjykues se i mbrojturi i tij për shkaqe shëndetësore gjindej në emergjenc, dhe nuk mund të ishte prezent në seancën e sotme.
Gjithashtu, kryetari i trupit gjykues, me kërkesë të anëtarit të këtij trupit gjykues, gjyqtarit Adnan Kamberi, ka njoftuar të pranishmit në seancë, se për shkak afërsis familjare me mbrojtësin e të pandehurit, i njëjti do bëjë kërkesë zyrtare për zëvendësimin e tij si anëtar i trupit gjykues në këtë rast.
Tutje, kryetari i trupit gjykues në munges të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, ka vendosur që seanca të mos mbahet dhe që e njejta të shtyet për dt.04 Tetor 2024 në ora 13:15
Sipas aktakuzes së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 26 janar 2021, e cila e ngarkon Sylejmon Pllanën, se në cilësinë e personit zyrtar, inxhinier në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), duke e keqpërdorur detyrën e tij, Egzon Hysenit i kishte kërkuar ryshfet në shumë prej 5 mijë e 500 euro duke i premtuar se do ta punësonte si vozitës në KEK.
Sipas aktakuzes, i akuzuari fillimisht e kishte pranuar shumën prej 2 mijë euro nga i akuzuari Hyseni, e pastaj në një takim tjetër ai kishte pranuar edhe shumën prej 500 euro, kurse për pjesën tjetër prej 3 mijë euro, ata ishin pajtuar që ajo pjesë të paguhej pasi i akuzuari Hyseni të punësohej dhe ta marrë pagën e parë në KEK.
Me këto veprime, Pllana po akuzohet se ka kryer veprat penale “Marrja ryshfetit” nga neni 428, par 1, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.Po ashtu, ai akuzohet edhe për veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Sipas aktakuzës, Egzon Hyseni akuzohej se gjatë muajit prill 2019, është takuar me të akuzuarin Pllana në Fushë Kosovë dhe me qëllim që të punësohej në KEK, fillimisht i kishte dhënë Pllanës shumën prej 2 mijë euro e pastaj në një takim tjetër shumën prej 500 euro, kurse për pjesën tjetër ishin pajtuar që të paguhej pasi i akuzuari Hyseni të punësohej në KEK.
Me këtë, Hyseni akuzohej se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”, nga neni 429, paragrafi 1, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Pasi Hyseni e kishte pranuar fajësinë për këtë vepër penale, Gjykata Themelore në Prishtinë, me 17 maj 2021, e kishte dënuar me gjashtë muaj burgim dhe 300 euro gjobë, por me pëlqimin e tij, dënimi me burg iu kishte zëvendësuar pastaj në dënim me gjobë në lartësi prej 1 mijë e 500 euro.
Shënim: I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Ilir Kocani