Në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës u mbajt shqyrtimi gjyqësor ndaj Shaip Ferizi, Mexhid Mustafa, Ajdar Jashari, Shqipe Avdiu, Arben Jashari, Mustafë Vitia, Besnik Ferizi, Faton Topanica dhe Arsim Topanica, të akuzuar për Krim të Organizuar lidhur me Shpërdorimin e detyrës zyrtare dhe Shmangie mashtruese nga pagesa e detyrimeve.
Trupi gjykues në këtë rast kryesohet nga Arben Hoti dhe përbëhet prej anëtarëve Valon Kurtaj dhe Kushtrim Shyti. Ky i fundit u paraqit si anëtar i këtij trupi gjykues sot për herë të parë, pasi anëtari paraprak është avancuar në Gjykatën e Apelit. Lidhur me këtë situatë palët u pajtuan që veprimet e deritanishme të ndërmarra në këtë procedurë penale të konstatohen të lexuara.
Tutje u dëgjua dëshmia e dëshmitares V.P nga Dogana e cila deklaroi se i qëndron prapa deklaratës së dhënë para gjykatës në seancën e datës 16 tetor të vitit 2018.
Duke u përgjigjur në pyetjet e Prokurorit të rastit Bekim Kodraliu, dëshmitarja tha se lidhur me cigaret që janë objekt i akuzës kanë pranuar informatë nga KFOR – i dhe janë pajisur me disa fatura të cilat sipas KFOR – it ishin vulosur me vula të falsifikuara e në bazë të kësaj janë informuar Prokuroria të cilët më pas i kanë futur të pandehurit nën masa t fshehta.
Dëshmitarja shtoi se i pandehuri Shaip Zaiti ka organizuar punën brenda BDF duke e organizuar shkarkimin e dokumenteve përmes të pandehurës Shqipe Avdiu e transportin përmes Lulzim Gashit. Sipas saj cigaret kanë dalë jashtë KFOR në fshatin Sveçël, e më pas faturat e shkarkuara janë vulosur nga i pandehuri Arben Jashari.
Sa i përket shumës së shmangies doganore dëshmitarja tha se e arrin shumën prej 1.5 milion eurosh në momentin e paraqitjes së kallëzimit penal.
Ndërkaq lidhur me plotësimin e procedurës së provave u aprovua propozimi i mbrojtës së të pandehurës Shqipe Avdiu që të nxirret bilanci i llogarisë së saj për periudhën kritike.
Seancat e radhës janë caktuar për datat 10 dhe 11 shtator nga ora 9 e 30.
Sipas aktakuzës së ngritur më 30 dhjetor 2008, nëntë të akuzuarit që nga 8 shtatori 2006 e deri më 9 tetor 2007, kishin kryer krim të rëndë si pjesë e një grupi të organizuar kriminal, duke e pasur secili rolin e tyre të ndarë në veprimtari kriminale.
Në aktakuzë thuhet se me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të një dobie pasurore apo financiare të kundërligjshme, gjatë importimit të cigareve si kontraktues të KFOR-it dhe në emër të KFOR-it kishin keqpërdorur detyrat zyrtare.
Me këtë rast, sipas aktakuzës, cigaret në vlerë prej 2.931.929.08 euro nuk i kishin dorëzuar në KFOR, por u kanë shitur kompanive të tjera pa banderolë, duke shkaktuar evazion fiskal ndaj buxhetit të konsoliduar të Kosovës në shumë prej 2,441,927,71 euro.
Prokuroria të akuzuarit Shaip Ferizi, Shqipe Avdiu dhe Arben Jashari, i ngarkonte me veprat penale “Krim i organizuar”, lidhur me veprën penale “Shpërdorim i detyrës zyrtare” si dhe me veprën penale “Shmangie mashtruese nga pagesat e detyrimeve”.
Ndërsa, të pandehurit Mustafë Vitia, Mexhid Mustafa, Lulzim Gashi, Besnik Ferizi, Faton
Topanica, Arsim Topanica dhe Ajdar Jashari, i ngarkonte me veprën penale “krim i organizuar” lidhur me veprën penale “shmangie nga pagesat e detyrimeve”.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Aulona Alaj