|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dështon të mbahet shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve për korrupsion   

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ku të akuzuar janë Arben Bakalli, Drejtor i Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mjedis dhe Agron Gojani, Urbanist i Sektorit për Planifikim dhe Rregullim Urban për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Nuk ishte prezent mbrojtësi i të akuzuarit Agron Gojani, av. Arianit Koci ku i njëjti përmes e-mail’it të datës 04.09.2024 ka njoftuar gjykatën që për ditën e sotme nuk mund të jetë prezent pasi që gjindet jashtë shtetit kështu që ka kërkuar shtyerjen e seancës për një datë tjetër.

Gjithashtu prezent nuk ishte edhe mbrojtësi i të akuzuarit Arben Bakalli, av. Granit Vokshi.

Kështu që kryetari i trupit gjykues Ilir Rashkaj ka shtyer seancën e sotme për datën 11.10.2024, meqenëse nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës së shqyrtimit gjyqësor.

Ndryshe me 1 qershor 2021, Gjykata Themelore në Gjakovë e kishte dënuar me 1 vit e 3 muaj dhe 3 mijë euro gjobë Arben Bakalli, për keqpërdorim detyre dhe Agron Gojani ishte dënuar me 1 vit burgim dhe 2 mijë euro, ndaj të akuzuarve ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, u ishte ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim. 

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 18 qershor 2020, Agron Gojani akuzohet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e personit zyrtar, arkitekt në Drejtorinë për Urbanizëm në Komunën e Gjakovës, kishte keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që t’i sillte dobi pasurore T.B, si dhe t’i shkaktonte dëm Komunës së Gjakovës, në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim dhe Udhëzimin Administrativ, me të cilin edhe pse paraprakisht i kërkohej bashkimi i parcelave para fillimit të procedurave për leje ndërtimi, i akuzuari kishte aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore, duke lëshuar vendim me të cilin kishte aprovuar kërkesën për ndërtimin e objektit kolektiv me etazhitet B+P+8+KSH në gjashtë parcela kadastrale të familjes Bakija, në kundërshtim me planin urbanistik “Revidimi i Kompleksit Orize1/18 Gjakovë” të miratuar nga Kuvendi Komunal në Gjakovë. Aty thuhet se zona në fjalë, sipas projektit të komunës, ishte e paraparë të jetë zonë gjelbëruese gjatë gjithë segmentit rrugor deri tek tyrbja “Shën Shefqeti”.

Për këtë, Gojani akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1, pika 2.1 të Kodit Penal.

Ndërsa, Arben Bakalli akuzohet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë për Urbanizëm Gjakovës kishte keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që t’i sillte dobi pasurore T.B, si dhe t’i shkaktonte dëm Komunës së Gjakovës, në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, pasi kishte nënshkruar vendim mbi kushtet ndërtimore sipas kërkesës së 29 dhjetorit 2017 për ndërtimin e objektit kolektiv të lartcekur, më 28 mars 2018 kishte lëshuar vendimin për leje ndërtimore në kundërshtim me planin urbanistik.

Për këtë, Bakalli akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi. 1, pika 2.1 të Kodit Penal.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Elvana Hatashi

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter