Në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamentin për Krime të Rënda është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve Nerimane Kelani-Sherifi dhe Arben Berisha, të akuzuar për veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, si dhe i akuzuari Ramadan Hasani, për shkak të veprës penale ‘Mashtrimi’.
Në seancën e sotme paraqitën mbrojtjen të akuzuarit Nerimane Kelani-Sherifi dhe Arben Berisha.
Në paraqitjen e mbrojtjes së të akuzuarës Kelani-Sherifi, në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Hasani, avokatit Ibrahim Shala, e njëjta deklaroi se nuk e njeh të akuzuarin Hasani, si dhe për kontratën e cila ka edhe fjalinë parakontratë për transferimin e pronës, është konsultuar me koleg dhe në Agjencionin Kadastral të Kosovës lidhur me këtë, të cilët kanë konfirmuar vazhdimin tutje me procedurën.
Ndërsa në pyetjet e gjyqtarit të rastit Naser Foniqi, e akuzuara Kelani-Sherifi deklaroi se nuk ka pasur njohuri se me nxjerrjen e vendimit nga ajo, i cili është objekt i kësaj cështje penale, është duke i bërë dëm dikujt, sepse përndryshe nuk do ta nxirrte asnjëherë një vendim të atillë.
E njëjta poashtu mohoi në tërësi se ka pasur ndonjë presion apo ndikim nga drejtori i kadastrit Arben Berisha, tashmë i akuzuar lidhur me nxjerrjen e vendimit pët transaksionin e pronës.
Kelani-Sherifi deklaroi poashtu se është e pafajshme në këtë rast dhe shpreson që të gjykohet drejt, pasi është një gabim pa kurrfarë prapavije.
Tutje, në paraqitjen e mbrojtjes së të akuzuarit Arben Berisha, i njëjti deklaroi se nuk është kompetent për bartjen e pronës dhe se nuk nxjerrë aktvendime dhe nuk ka qasje në aparatin kadastral.
Ndryshe sipas aktakuzës, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtar, e pandehura Nerimane Kelani-Sherifi si udhëheqëse e sektorit të pronës në Komunën e Obiliqit dhe i pandehuri Arben Berisha si Drejtor i Planifikimit Urban, Pronë dhe Kadastër në Komunën e Obiliqit, në bashkëkryerje duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, ashtu që e pandehura Nerimane Kelani, ka përpiluar dhe nënshkruar Aktvendimin me të cilën e ka bërë bartjen e pronës nga pronari Xh.R, tek tani i pandehuri Ramadan Hasani, duke u bazuar në ” Parakontrata për shitblerjen e patundshmërisë”, në kundërshtim me Ligjin për themelimin e regjistrit të të drejtave të pronës së paluajtshme, ku ndër të tjera thuhet se për bartje të pronës duhet të paraqitet “Kontrata” mbi shitblerjen e patundshmërisë, dhe jo “Parakontrata”, e po të njëjtin aktvendim e ka nënshkruar edhe i pandehuri Arben Berisha, edhe pse ishte njoftuar nga e pandehura Nerimane, se aktvendimi mbi bartjen e pronës ishte marrë duke u bazuar në parakontratë, me këtë i ka shkaktuar dëme personit tjetër, në këtë rast trashëgimtarëve të të ndjerit Xh.R.
Ndërsa, i pandehuri Ramadan Hasani, akuzohet se me qëllim që vetit ti sjellë përfitim të kundërligjshëm, ka fshehur fakte, ka paraqitur fakte të rreme, me çka e ka vënë në lajthim të dëmtuarin M.G, e mashtron duke e nxitur të veproj në dëm material të pasurisë së tij, kështu që me datë 21.09.2022, ia ka shitur tokën në sipërfaqe të përgjithshme 11,034 m2, Zona Kadastrale Milloshevë- Komuna Obiliq, për blerjen e kësaj toke ia ka dhënë të pandehurit Ramadanit 2000 euro, 800 euro pas tri dite, kohë pas kohe ia ka dhënë nga 200 euro, e tjera, në total 3.250 euro, kurse marrëveshja ka qenë të paguhen 18.000 euro, e ka fshehur faktin se ” Parakontrata për shitblerjen e patundshmërisë” është e falsifikuar, me ç’rast blerësi, tani i dëmtuari M.G është vënë në lajthim lidhur me këtë fakt si dhe është dëmtuar materialisht.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të
vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti