Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, kanë dhënë fjalën përfundimtare ndaj të zyrtarit policor Fidan Mati i cili po akuzohet se ka kryer veprën penale Marrje ryshfeti.
Fjalën e saj përfundimtare e ka dhënë prokurorja e shtetit Ardita Beqiraj-Hyseni e cila ndër të tjera tha se, pas mbajtjes së seancave lidhur me këtë çështje penale dhe pas administrimit të provave, është vërtetuar që i akuzuari Fidan Mati ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë. Ajo tutje kërkoi nga gjykata që t’i falet besimi i plotë deklaratave të dëshmitarëve dhe të dëmtuarës të cilat i cilësoi të sinqerta dhe të besueshme.
Në fund prokurorja Hyseni, i propozoi gjykatës që të njëjtin ta shpall fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit, ku si rrethanë rënduese ta merr dashjen, faktin se i njëjti është person zyrtar, prishjen e imazhit të Policisë së Kosovës, ndërsa si rrethanë lehtësuese ta merr sjelljen korrekte gjatë shqyrtimit gjyqësor, si dhe në fund i propozoi gjykatës që t’i shqiptojë dhe dënim plotësues.
Ndërsa në fjalën e tij përfundimtare mbrojtësi i të akuzuarit Fidan Mati, av. Korab Bokshi, ndër të tjera tha se i mbrojturi i tij nuk e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet dhe se provat janë të pamjaftueshme dhe të pabesueshme. Në fund i propozoi gjykatës që ta aplikojë parimin “in dubio pro reo” dhe ndaj të mbrojturit tij të merret aktgjykim lirues.
Shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datë 11 shtator 2024.
Kujtojmë që sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë të datës 06.11.2023, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Fidan Mati, i cili në cilësinë e zyrtarit policor në Stacionin Policor në Gjakovë, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkon dhe pranon të holla në mënyrë që të mos veproj në pajtim me detyrën e tij zyrtare. Në aktakuzë thuhet se, zyrtari policor F.F e kishte ndaluar automjetin të cilin po e drejtonte A.F dhe e kishte njoftuar të njëjtën se e kishte tejkaluar shpejtësinë nga 50km/h ku ishte duke vozitur në 80km/h, dhe se asaj duhet t’i shqiptohet gjobë 300 euro dhe t’i konfiskohet patentë shoferi për 6 muaj, e dëmtuara njofton zyrtarin policor se jeton jashtë vendit, në Zvicër dhe kërkon nga zyrtari policor mos t’ia merr patentë shoferin, ku i njëjti e drejton të dëmtuarën të shkoi tek kolegu i tij, i pandehuri Fidan i cili ishte në veturën e policisë, kështu që e dëmtuara kur afrohet tek automjeti i policisë, i pandehuri Mati i kërkon 300 euro, e njëjta ishte përgjigjur se 300 euro nuk i ka por vetëm 100 euro. Ai ishte pajtuar me këtë shumë të të hollave dhe e udhëzon që këto të holla t’i fut në librezë dhe mos ta vërej askush dhe eja merre patentë shoferin. E dëmtuara shkon në veturën e saj i merr 105 euro dhe i vendos në librezë, më pas ia jep të pandehurit Fidan, i njëjti i pranon këto të holla, ia kthen librezën duke mos i dhënë asnjë dëshmi-dokument, për këtë lloj pagese.
Për këtë Fidan Mati po akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 par 1. të KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi