Projekt i realizuar nga:

Shtyhet seanca e rigjykimit në rastin për Mashtrim me Subvencione  

Në Gjykatën e Prishtinës, sot, me datë 10 shtator ishte e paraparë të mbahej seanca e rigjykimit ndaj të pandehurave Zoja Krasniqi e akuzuar për Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar e Konflikt interesi dhe Albulena Rama Gashi e akuzuar për Mashtrim me subvencione.

Në seancë nuk prezantoi e akuzuara Albulena Rama Gashi për të cilën u arsyetua avokati i saj Mentor Neziri duke u thirrur në arsyeje shëndetësore të pandehurës. Ndërkaq për të njëjtën gjykata bëri të ditur se është arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale dhe për këtë do të nxjerrë aktgjykim refuzues.

Mirëpo seanca e sotme nuk vazhdoi pasi me kërkesë të palës së dëmtuar u shty dhe u caktua me datë 14 tetor në orën 14:00.

Rasti po gjykohet nga trupi gjykues nga Departamenti i Krimeve të Rënda me kryetare Fatime Dermaku dhe anëtarët Naser Foniqi dhe Ertan Sejfulla.

Ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, Zoja Krasniqi, e cila në periudhën kohore kritike mbante pozitën e zyrtares në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, akuzohet se ka vepruar në kundërshtim me autoritetin e saj zyrtar.

Ajo dyshohet se që nga viti 2010 e deri në viti 2014 ka përpiluar dosje fiktive përmes të cilave u ka mundësuar familjarëve të saj – Arben dhe Armend Gashi, Albulena Rama dhe Valon Bllacaku të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme përmes subvencioneve në kuadër të Komunës së Prishtinës.

Sipas dosjes së Prokurorisë, përmes këtyre veprimeve familjarët e saj kanë përfituar rreth 25 mijë euro nga këto subvencione të ndara për projekte të ndryshme, e të cilat nuk u realizuan asnjëherë.

Lidhur me këto veprime, mbi Krasniqin rëndojnë akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Në vazhdim, e akuzuara Albulena Rama – Gashi në vazhdimësi ka aplikuar për subvencione me projekte fiktive në emër të Shpresa Krasniqit, duke shfrytëzuar pozitën e kunatës së saj – Zoja Krasniqit. Përmes këtyre veprimeve, Rama – Gashi dyshohet të ketë fituar shumën 10,150 euro me ç’rast Prokuroria e ka ngarkuar me akuzën se ka kryer veprën penale – mashtrim me subvencione.

Projektet fiktive të së njëjtës i ka shfrytëzuar e akuzuara Dafina Çela, e cila ka aplikuar në projektet “Suksesi varet nga përpjekjet” dhe ‘’Rinia e jonë” me ç’rast akuzohet se përmes veprës penale – mashtrimi në subvencione ka përfituar shumën prej 1,115 euro.

Sipas Prokurorisë Speciale, e akuzuara Rama-Gashi me të akuzuarën Arjeta Koraqi, në bashkëkryerje kanë aplikuar për subvencione me projektin fiktiv “Roli dhe rëndësia e te rinjve në procesin e Integrimit Evropian” me ç’rast dyshohet të ketë pasur përfitim prej 800 eurosh.

Ndërsa i akuzuari Armend Gashi dyshohet se në vazhdimësi ka aplikuar për subvencione me një mal projektesh fiktive, duke shfrytëzuar pozitën e motrës së saj – të akuzuarës Zoja Krasniqit.

Përmes këtyre projekteve, Gashi dyshohet të ketë përfituar mbi 10 mijë euro.

Kurse me dy projekte fiktive kishte aplikuar i akuzuari Valon Bllacaku, i cili duke shfrytëzuar pozitën e motrës së dhëndrit të tij – të akuzuarës Krasniqi, dyshohet të ketë përfituar shumën mbi 2 mijë euro.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Aulona Alaj

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter