Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka fillluar rishtazi shqyrtimi gjyqesor ndaj Albert Deda dhe Ismet Veliu, të cilët po akuzohen nga Prokuroria Themelore se kanë marrë dhjetë flakona kontrast jojonik nga 100 mililitra.
Shqyrtimi gjyqësor filloi rishtazi për shkak të ndërrimit të anëtarit të trupit gjykues, meqë rast trupi gjykues me aprovim të palëve konsideroi të lexuara gjitha veprimet e marra deri më tash, duke përfshirë leximin e aktakuzës, deklarimin e të pandehurve, fjalët hyrëse, administrimin e provave etj.
Tutje, në vazhdim të seancës të pandehurit Deda dhe Veliu shfrytëzuan të drejtën ligjore për tu mbrojtur në heshtje.
Ndërsa, sa i përket fjalës përfundimtare, prokurori i shtetit Arian Salihu deklaroi se pasi që e ka pranuar lëndën ditën e djeshme, është përgatitur vetëm për marrje në pyetje të të akuzuarve, por jo edhe për fjalën përfundimtare, meqë rast kërkoi që ti jepet një afat shtesë për tu përgatitur edhe për fjalën përfundimtare në seancën e ardhshme.
Propozimin për shtyerje e kundërshtoi mbrojtja e të akuzuarve, megjithatë trupi gjykues vendosi në favor të prokurorit të shtetit për ndërprerjen e seancës së sotme, ndërsa seanca e radhës u caktua për datën 13 shtator 2024, nga ora 09:30.
Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 23 shkurt 2021, të akuzuarit Deda dhe Veliu po akuzohen se në cilësinë e teknikëve të Radiologjisë në Repartin e Klinikës së Radiologjisë në SHSKUK-së ku ishin përgjegjës të çelësave, kanë marrë dhjetë flakona kontrast jojonik nga 100 mililitra, me ç’rast kanë dëmtuar buxhetin e SHSKUK-së 202 euro që t’i sjellin vetes apo tjetrit përfitim pasuror të kundërligjshëm.
Me këtë, Deda dhe Veliu po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të
vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti