Projekt i realizuar nga:

Përfundon shqyrtimi gjyqësor në rastin ndaj nëntë të akuzuarve për Krim të organizuar

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, me trup gjykues, Kryetar i trupit gjykues, gjyqtari Arben Hoti dhe anëtarët e trupit gjykues, gjyqtarët Valon Kurtaj, Kushtrim Shyti, ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor, ndaj të akuzuarve Shaip Ferizi, Mexhid Mustafa, Ajdar Jashari, Shqipe Avdiu, Arben Jashari, Mustafë Vitia, Besnik Ferizi, Faton Topanica dhe Arsim Topanica, të cilët po akuzohen për Krim të organizuar lidhur me veprën penale Shpërdorim të detyrës zyrtare dhe Shmangie mashtruese nga pagesat e detyrimeve.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Arben Hoti theksoi se në seancën e sotme do të vazhdohet me fjalën përfundimtare të palëve në procedurë.

Në fjalën përfundimtare, Prokurori Special Bekim Kodraliu, theksoi se mbetet në tërësi pranë aktit akuzues, i cili është edhe i ndryshuar dhe precizuar, duke shtuar se personat të cilët akuzohen janë përgjegjës dhe me veprimet e tyre, sipas Prokurorisë kanë kryer veprat të cilat edhe përmenden në aktakuzë.

Në fund, Prokurori Special Bekim Kodraliu, theksoi se përfundimishtë të gjitha provat e elaboruara para trupit gjykues, mund të konkludohet se kemi të bëjmë me grup të organizuar kriminal, tutje Prokurori kërkoi nga trupi gjykues që personat e akuzuar të shpallën fajtor dhe të njejtit të dënohen sipas ligjit, po ashtu, kërkoi që të bëhet kompenzimi i dëmit të shkaktuar në buxhetin e shtetit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Shaip Ferizi, av. Besim Parduzi në fjalën përfundimtare theksoi, se ky proces ka zgjatur shumë dhe akuza është ndryshuar disa herë, përtej këtij fakti, nuk është arritur të vërtetohet fajsia e të mbrojturit të tij. Nga trupi gjykues i njejti kërkoi që të mbrojturin e tij, t’a liroj nga akuza.

Mbrojtësi i të akuzuarës, Shqipe Avdiu, av. Blerim Hertica, në fjalën përfundimtare të dorëzuar me shkrim dhe të elaboruar në pika të shkurta theksoi, se nga Prokuroria nuk është arritur të dëshmohet se e mbrojtura e tij, ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet, dhe rrjedhimisht, nga trupi gjykues kërkoi lirimin nga akuzat për të mbrojturën e tij.

Në vazhdim, edhe mbrojtësit e të akuzuarve tjerë, në elaborim të fjalës së tyre përfundimtare theksuan se nuk është vërtetuar me asnjë provë të elaboruar gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, se të mbrojturit e tyre kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen dhe të njejtit nga trupi gjykues kërkuan që, fillimishtë, të merret parasysh koha e gjatë që ka kaluar nga ngritja e akuzës e deri më sot. Po ashtu, mbrojtësit e të akuzuarve theksuan se, nuk është vërtetuar as ekzistimi i grupit kriminal për të cilin pretendon Prokuroria, si dhe në fund nga trupi gjykues kërkuan që të mbrojturit e tyre të lirohen nga akuza.  

Gjithashtu, edhe të akuzuarit në mbështetje të mbrojtësve të tyre, kërkuan nga trupi gjykues që të njejtit t’i liroj nga të gjitha akuzat që ju vihen në barrë.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Arben Hoti, theksoi se shqyrtimi gjyqësor në këtë rast tani është i përfunduar, dhe shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datë: 16 Shtator, nga ora 13:30.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 dhjetor 2008, nëntë të akuzuarit që nga 8 shtatori 2006 e deri më 9 tetor 2007, kishin kryer krim të rëndë si pjesë e një grupi të organizuar kriminal, duke e pasur secili rolin e tyre të ndarë në veprimtari kriminale.

Në aktakuzë thuhet se me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të një dobie pasurore apo financiare të kundërligjshme, gjatë importimit të cigareve si kontraktues të KFOR-it dhe në emër të KFOR-it kishin keqpërdorur detyrat zyrtare.

Me këtë rast, sipas aktakuzës, cigaret në vlerë prej 2.931.929.08 euro nuk i kishin dorëzuar në KFOR, por u kanë shitur kompanive të tjera pa banderolë, duke shkaktuar evazion fiskal ndaj buxhetit të konsoliduar të Kosovës në shumë prej 2,441,927,71 euro.

Prokuroria të akuzuarit Shaip Ferizi, Shqipe Avdiu dhe Arben Jashari, i ngarkonte me veprat penale “Krim i organizuar”, lidhur me veprën penale “Shpërdorim i detyrës zyrtare” si dhe me veprën penale “Shmangie mashtruese nga pagesat e detyrimeve”.

Ndërsa, të pandehurit Mustafë Vitia, Mexhid Mustafa, Lulzim Gashi, Besnik Ferizi, Faton Topanica, Arsim Topanica dhe Ajdar Jashari, i ngarkonte me veprën penale “krim i organizuar” lidhur me veprën penale “shmangie nga pagesat e detyrimeve”.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter