|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohen tre dëshmitarë në rastin ish- zyrtarit të ATK, i akuzuar për Keqpërdorim të detyrës zyrtare

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Deparamentin për Krime të Rënda, me trup gjykues: Kryetar i trupit gjykues, gjyqtari Ertan Sejfulla dhe gjyqtarët, Naser Foniqi, Fatime Dërmaku, në cilësi të anëtarëve të trupit gjykues, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndaj të pandehurit Malush Kelmendi, ish-zyrtarë në ATK, i cili akuzohet nga Prokuroria se ka kryer veprat penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘Falsifikimi i dokumentit zyrtar’.

Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, Ertan Sejfulla theksoi se, Gjykata në muajin gusht ka pranuar një shkresë nga pala e dëmtuar, të cilët kishin theksuar se nuk do të bëjnë kërkesë pasurore-juridike, pasi sipas tyre nuk është dëmtuar buxheti i ATK-së.

Shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarës XH.M., Zyrtare në zyrën e Kadastrit në Komunën e Pejës.

Në dëshminë e saj, nga pytjet e Prokurorit të Shtetit, Zefë Prendrecaj, dëshmitarja theksoi se në pozitën e Kadastrit të Pejës punon nga viti 1983, dhe në përgjegjësi të saj, janë pranimi i kërkesave në lidhje me Kadastritin, tutje shtoi se në përgjegjësi të saj është vetëm protokollimi i kërkesave.

Në vazhdim, lidhur me një kërkesë të cilën ajo e kishte nënshkruar, theksoi se të njejtën e kishte pranuar dhe regjistruar, sa i përket kësaj kërkese shtoi se kërkesat pranohen zyrtarishtë, ndërsa në rastin konkret theksoi se këtë kërkesë e kishte pranuar nga i pandehuri, kurse përmes postierit zyrtarishtë e kishte dërguar tek juristi.

Ndërsa, sa i përket një kërkese e cila i ishte kthyer nga zyra, të njejtën theksoi se e kishte vendosur prapë në librin e protokollit të ATK-së, pastaj kishte ardhur personi me emrin Afrim Radoniqi dhe e ka tërhequr këtë kërkesë, me arsyetimin se dëshironte të paguante borxhin ndaj shtetit.

Kurse, sa i përket kohës kur kërkesat ishin pranuar në kopje fizike, dëshmitarja theksoi se kërkesat ishin bërë nga persona të ndryshëm, zyrtarë të ATK – së.

Në pytjen e anëtarit të trupit gjykues, gjyqtarit Naser Foniqi, dëshmitarja theksoi se në momentin e pranimit të kërkesës nuk evidentohet se kush është personi i cili e ka dërguar, por evidentohet si ATK.

Tutje, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të dytë, A.I. – zyrtarë në ATK.

Në dëshminë e tij, dëshmitari A.I, theksoi se deklaratën e dhënë në Polici, se qëndron pranë të njejtës. Tutje, shtoi se kishte qenë i ngarkuar me rastin e Afrim Radoniqit, nga muaji mars, e kishte pranuar nga udhëheqësi i divizionit. Sa i përket këtij rasti, dëshmitari theksoi, se shefi i ekipit e kishte ftuar në zyrë, dhe e kishte pyetur se a kishte qenë zyrtarishtë në zyrën kadastrale në Pejë, shtoi se nuk ka shkuar.

Tutje, dëshmitari theksoi se, e kishin pranuar një email, në të cilin ishte një dokument nga i cili ishte liruar nga barra e tatimit, tutje dëshmitari shtoi se lënda në sistem ishte e deleguar tek ai, ndërsa në kopje fizike kanë pasur qasje edhe zyrtarët e tjerë.

Në vazhdim, dëshmitari theksoi në rastin konkret, pala nuk i kishte plotësuar kushtet për lirim nga barra tatimore, pasi kishte borxh përreth, 3000 euro.

Ndërsa, sa i përket protokollimit të këtij dokumenti, dëshmitari theksoi se, pasi të konstatohet se janë plotësuar kriteret, merret dokumenti origjinal i nënshkruar nga udhëheqësi i divizionit, tutje shtoi se secili zyrtarë i protokollon lëndët e veta.

Tutje, shtoi se lidhur me rastin konkret, me tani të akuzuarin nuk kishin diskutuar rreth rastit, shtoi se me të ishin koleg, dhe nuk kishin pasur ndonjë problem gjatë kohës sa kishin punuar bashkë.

Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të tretë A.K., shtoi se qëndron në tërësi pranë deklarimit të dhënë në Polici, lidhur me këtë rast. Tutje, shtoi se i njejti punon në ATK, si zyrtarë i mbledhjes së detyrueshme të borxheve. Tutje, shtoi se të pandehurin e njeh pasi, kanë punuar bashkë nga viti 2020 tek Departamenti për mbledhjen e detyrueshme të Tatimeve.

Kurse, sa i përket veprimeve të të pandehurit lidhur me rastin e Afrim Radoniqit, dëshmitari theksoi se i është përcjellur përmes Email, tutje shtoi se ka shkuar tek zyrtari i rastit e kishte pyetur lidhur me këtë rast, ndërsa, ka pyetur edhe zyrtarët e tjerë, gjithashtu e kishte pyetur edhe Malushin, i njejti i kishte thënë që e kishte përgaditur këtë dokument.

Kurse sa i përket certifikatës për lirim nga barra tatimore theksoi se zyrtarët nuk kanë të drejtë të lëshojnë, vetëm e përgatisin formën ndërsa është përgjegjësi e udhëheqësit të divizionit ta lëshoj këtë dokument.

Ndërsa, në pytjen e mbrojtësit të të akuzuarit Malush Kelmendi, av. Fatmir Kurmehaj, dëshmitari theksoi se rasti konkret nuk i kishte plotësuar kushtet për lirim nga barra tatimore. Tutje, dëshmitari shtoi se, në këtë rast borxhi ishte i vjetërsuar, por barra nuk lirohet pasi që ekzistojnë procedura të tjera për anulim, dhe ekziston divizioni i vecant që merret me këtë cështje.

Kryetari i trupit gjykues, Ertan Sejfulla, theksoi se pasi që është afër përfundimi i orarit të punës së Gjykatës, shqyrtimi i sotëm duhet të ndërpritet.

Ndryshe, sipas aktakuzës, së Prokurorisë, i pandehuri Malush Kelmendi akuzohet se me datë 19.05.2023, si person zyrtar tatimor në Drejtorinë e mbledhjes së detyrueshme tatimore në regjionin e Prishtina 3, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, e në mënyrë të kundërligjshme, ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që të përfitoj cfarëdo dobie për tjetrin, dhe me qëllim që t’i shkaktojë dëm ATK-së edhe buxhetit të Republikës së Kosovës, ka marrur veprime të paautorizuara në kompjuterin e tij duke krijuar një dokument – certifikatën e lirimit të barrës tatimore, të njejtin dokument e ka plotësuar, e ka vulosur, e ka nënshkruar pa qenë zyrtar i autorizuar sepse të njejtin dokument duhej ta vuloste eprori i tij Zijadin Syla e pastaj të njejtin dokument e ka dorëzuar në Zyrën e Kadastrit në Pejë, me qëllim që subjekti tatimor i pronarit Afrim Radoniqi të i zhbllokohen pronat – shtëpia dhe një parcelë tokë, të cilat ATK-ja ia kishte bllokuar për shkak të obligimeve tatimore,

Sipas prokurorisë me veprimet e tij, i pandehuri Kelmendi ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Malush Kelmendi në dokumentin zyrtar, Certifikatën e lirimit të barrës tatimore ka shënuar të dhëna të rreme për biznesin N.T.SH ‘ETAMEDIFARM’, ashtu që të njejtin dokument e ka plotësuar, me vulë e ka vërtetuar dhe nënshkruar, ia ka vendosur vulën katrore, e ka keqpërdorur vulën e protokollit, duke regjistruar dhe duke i dhënë një numër fiktiv, i cili dokument nuk figuron i regjistruar në librin e protokollit në Drejtorinë e Mbledhjes së detyrueshme dhe përmban plotësishtë të dhëna të rreme, e pastaj të njejtin dokument personalisht e ka dorëzuar në Zyrën e Kadastrit në Pejë.

Me këto veprime, sipas aktit akuzes, i pandehuri Kelmendi ka kryer veprën penale ‘Falsifikimi i dokumentit zyrtar’ nga neni 427 par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Shënim: I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.Monitoruar nga: Arton Hoxha 

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter