Në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, sot me date 16 shtator, ka vazhduar gjykimi ndaj 12 të akuzuarve në rastin e njohur si “Subvencionet 1.” Të akuzuar në këtë rast janë Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj për kryerjen e veprave penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, dhe “Mashtrim me subvencione”.
Në seancën e sotme mbrojtjen e dhanë i akuzuari Jeton Sylaj dhe i akuzuari Lulzim Hajdaraj.
Ky rast po trajtohet nga trupi gjykues me kryetar Kujtim Krasniqin dhe anëtarët Valon Kurtaj dhe Lutfi Shala, ndërsa Prokurori i rastit është Prokurori Special Rafet Halimi.
Mbrojtjen fillimisht e dha i akuzuari Sylaj, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të tij Betim Shala, shpjegoi detyrat dhe kompetencat e tij. Sipas tij, detyrë e tij ka qenë vetëm digjitalizimi i parcelave dhe kompletimi i dokumentacioneve kurse sa i përket origjinalitetit të dokumentacioneve dhe gjendjes në terren e kanë kryer zyrtarët e Agjencionit për Zhvillim të Bujqësisë.
Ndërkaq duke u përgjigjur pyetjeve të Prokurorit, i njëjti pranoi se ka punuar edhe në biznes privat, por atë jo kur ka qenë i angazhuar në drejtorinë përkatëse.
Tutje me dhënien e mbrojtjes vazhdoi i akuzuari Lulzim Hajdaraj i cili po ashtu tha se ishte në kompetencën e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë të vërtetonte origjinalitetin e dokumentacioneve, kurse për verifikimin e aplikimeve dhe gjendjen në terren ai tha se ka pasur përputhje të plotë.
Seanca do të vazhdoj me dhënien e mbrojtjes nga pjesa e mbetur e të akuzuarve në datat 21 dhe 22 tetor.
Aktakuza e ndryshuar më 4 prill 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Luan Statovcin, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim me subvencione”, e të tjera.
Ndërsa, më 19 prill 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”, Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, duke i dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë, të cilët kishin pranuar fajësinë për kryerjen e veprës penale për të cilën akuzohen.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Aulona Alaj