Projekt i realizuar nga:

Vazhdon dëgjimi i dëshmitarës në rastin ndaj të akuzuarve për Krim të Organizuar

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, me trup gjykues, Gjyqtarët Valon Kurtaj si kryetar dhe Lutfi Shala, Vesel Ismaili, në cilësi të anëtarëve të trupit gjykues,  është mbajtur seanca ndaj të akuzuarve Lorik Jashari, Kadri Mustafa dhe Naman Pacolli, të cilët nga Prokuroria Speciale akuzohen si Grup i organizuar kriminal për ‘Shmangie tatimore’, ‘Shpërlarje parash’, si dhe ‘Keqpërdorim i autorizimeve ekonomike’.

Kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj theksoi se në seancën e sotme do të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarës, E.Z. e cila kishte mbetur duke u dëgjuar në seancën e fundit.

Në pytjet e Kryetarit të trupit gjykues, Valon Kurtaj, lidhur me faturat fiktive të konstatura nga raportet e ATK se a janë lëshuar në emrin e Kompanive, Loni Com dhe Flaka, dëshmitarja theksoi se këto biznese kanë lëshuar fatura dhe kanë bërë transaksione të dyshimta.

Kurse, sa i përket faturave fiktive, se a janë lëshuar në interes të kompanive si palë të treta, dëshmitarja theksoi se, në emër të bizneseve të dyshuara kanë pranuar këto fatura, dhe këto janë të specifikuara në raportin final të dorzuar në Prokurori.

Ndërsa, sa i përket kompanive qe kanë leshuar fatura fiktive se të njejtat a kanë pasur biznes real, dëshmitarja shtoi se i gjithë aktiviteti i tyre kishte qenë fiktiv dhe nuk ishte kryer ndonjëherë shërbim.

Sa i përket bizneseve të treta të cilat kanë pranuar faturat, se a i kishin intervistuar, lidhur me pranimin e faturave fiktive, dëshmitarja theksoi se, aksioni lidhur me bizneset e treta, dhe njoftimi i tatim paguesve ka ndodhur në forma të ndryshme, në disa biznese janë kryer hetime nga drejtoria tatimore, dhe është vërtetuar se nuk është pranuar asnjëherë mall nga këto biznese. Gjithashtu, Drejtoria e Hetimeve, ka njoftuar edhe regjionet e ATK-s se ka kryer aktivitete për verifikimin e këtyre transaksioneve.

Kurse, sa i përket kompjuterit të të akuzuarit Lorik Jashari në të cilin janë gjetur 42 fatura te përpiluara pa vula dëshmitarja theksoi se, gjate ekzaminimit nga Forenzika, janë gjetur 42 fatura të lëshuara në emër të bizneseve të ndryshme, 33 prej tyre në vlerë rreth 285 mijë euro, 4 fatura, në vlerë prej 48 mijë euro, dhe 5 fatura, në vlerë prej 34 mijë euro.

Tutje, dëshmitarja shtoi se nga përvoja e ATK-së, një faturë që nuk shfrytëzohet, e njejta nuk mund të prodhojë detyrim tatimor, por është e krijuar për të bërë një vepër penale.   

Ndërsa, nga kontakti me bizneset e treta si ATK, lidhur me cështjen se nga kush i kanë pranuar këto fatura, dëshmitarja theksoi se, bazuar në një procesverbal, të PSRK-së, ku gjatë aktivitetit dhe intervistimit të pronarit të Liburnia IMPEX dhe Cini Comerc, lidhur me pranimin dhe shfyrtzimin e faturave fiktive për këto biznese, i njejti kishte deklaruar se, ndërmjetësues lidhur me pranimin e këtyre faturave kishte qenë Lorik Jashari.

Në fund të dëshmisë së saj, dëshmitarja theksoi se, lidhur me skemën e paraqitur ne seancen e kaluar, se i gjithë transaksioni një ditor i dt. 23.05.2009, ndërmjet Liburnia Impex, Loni Com, Destan Hoxha, Cini Comerc, Flaka Com dhe Lorik Jashari, në Raifaisen Bank, i gjithë ky cikel ishte bërë për përfitim të 23 Mijë euro-ve, ku nga skema shihet se, Destan Hoxha, kishte përfituar 3 mijë euro, Lorik Jashari 18 mijë euro, Cimi Comerc 3 mijë euro.

Tutje, dëshmitarja shtoi se qëndron në tërësi pranë raportit të bërë, të cilin e ka dërguar në PSRK.

Kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj, theksoi se në shqyrtimin e sotëm ka qenë e paraparë që të vazhdohej vetëm me dëgjimin e kësaj dëshmitare, ndërsa dëshmitarët e tjerë, sipas radhës do të dëgjohen në seancat e radhës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të pandehurit Lorik Jashari, Kadri Mustafa, Xh. M. dhe M. G., të cilët kanë ndërruar jetë, akuzohen për kryerjen e veprës penale të krimit të organizuar.

Sipas prokurorisë, gjatë vitit 2007-2011 Lorik Jashari si kryesues i grupit të organizuar kriminal iu ka ndihmuar në regjistrimin e bizneseve “Flaka Com” në emër të Kadri Mustafës. Kurse për Xh. M., ishte regjistruar biznesi me emër “Loni Com”, ndërsa M. G. ka regjistruar biznes me emrin “Yllka Com”. Sipas Prokurorisë regjistrimi i këtyre bizneseve ishte bërë më qëllim që të merren me aktivitete kriminale duke përpiluar faktura fiktive gjoja se është bërë shitja- blerja e mallrave konkrete, duke e dëmtuar sipas prokurorisë buxhetin e shtetit në dëm prej 198,707.17 mijë euro.

Gjithnjë sipas prokurorisë i pandehuri Lorik Jashari i ka kontaktuar personat e tjerë të akuzuar, duke qenë se ka aftësi të kontabilitetit dhe i ka udhëzuar personat si të hapet biznesi, si të veprohet në biznes, duke u treguar në detaje me aktivitetet kriminale.

Jashari sipas prokurorisë thuhet se pasi që janë udhëzuar tashmë të akuzuarit e tjerë për regjistrimin e bizneseve, ju ka siguruar shitës-blerës fiktiv. Tutje kishte përgatitur 42 faktura fiktive personalisht në vlerë prej mbi 360 mijë euro.

Me këto veprime të akuzuarit janë ngarkuar me veprën penale të krimit të organizuar. Kurse për Jasharin edhe për shmangie nga tatimi dhe për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Tutje aktakuza thotë se Jashari si pronar i kompanisë “Lori” në vitin 2008 e ndërron emrin e kompanisë në atë të “Lorlan” SH.P.K.. Kështu i njëjti gjithnjë sipas prokurorisë pranon para nga të hyrat e bizneseve fiktive “ Flaka Co” dhe kompania “Cini Comerce” dhe deponimet kesh në vlerë prej mbi 600 mijë euro, të hyrat nga shitblerja e banesave në vlerë prej mbi 300 mijë.

Prokuroria thekson se Lorik Jashari ka bërë shpëlarje të parave të fituara si më lartë duke e ndërtuar një objekt banesor shumëkatësh në vlerë prej afërsisht gjysmë milioni euro.

Pikë tjetër e akuzës për shmangie tatimi e ngarkon të akuzuarin Kadri Mustafa  i cili si pronar i kompanisë “ Flaka Com” e ka dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej afërsisht 5 mijë euro duke mos deklaruar të ardhurat dhe fitimin e saktë të kompanisë.

I akuzuari tjetër Naman Pacolli akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të autorizimeve ekonomike.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter