Ne Gjykatën Themelore në Prishtinë me datë 17 shtator u bë shpallja e aktgjykimit ndaj Faton Hajzeraj, Leutrim Jahjës dhe Ylber Krasniqit të akuzuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” në bashkëkryerje.
Të njëjtit u liruan nga akuzat pasi sipas gjykatës nuk është provuar se kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen. Ky vendim u morr nga trupi gjykues nga Departamenti i Krimeve të Rënda me kryetar Naser Foniqin dhe anëtarët Fatime Dermaku dhe Ertan Sejfulla.
Sipas aktakuzës të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të përpiluar më 22 mars 2022, Faton Hajzeraj, Leutrim Jahja dhe Ylber Krasniqi, po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par.1 dhe 2, lidhur me par.3, pika 3.2. e lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Sipas kësaj aktakuze, më 22 dhjetor 2020, në QKUK, në cilësinë e personave zyrtarë IT në QKUK, dhe në bashkëkryerje, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, në aktivitetin e prokurimit “Furnizimi dhe montimi i Sistemit të integruar të monitorimit me kamera dhe Integrimi i sistemit të kontrollit të qasjes”, kontratë e nënshkruar mes QKUK dhe “Artech”, kanë nënshkruar raport fiktiv se i tërë aktiviteti është kryer në dhjetor 2020, që përfshinë pranimin e mallit, ekzekutimi i punimeve dhe pranimi teknik i punimeve.
Më tej, thuhet se në këtë raport ka qenë e cekur se “materiali i pranuar nga komisioni ka qenë në përputhshmëri me kontratën dhe të gjitha pajisjet janë montuar dhe janë në funksion të plotë”, i cili raport sipas aktakuzës ka qenë në kundërshtim me gjendjen faktike.
Sipas kësaj aktakuze, projekti nuk është përfunduar dhe asnjë nga pajisjet nuk ka qenë funksionale, një pjesë e mallit është sjellë në QKUK në muajin shtator të vitit 2021, atëherë kur është bërë auditimi i tenderit dhe publikimi në media, andaj si pasojë e këtyre veprimeve të kundërligjshme buxhetit të QKUK, i kanë shkaktuar dëm material në shumën prej 104 mijë e 751 euro.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Aulona Alaj