Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, me trup gjykues, Gjyqtarët Kujtim Krasniqi si kryetar dhe Lutfi Shala, Vesel Ismaili në cilësi të anëtarëve, ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor në rastin ndaj të akuzuarve Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj, ish-zyrtar të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, të akuzuar për veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’.
Në hapje të shqyrtimit gjyqësor, Kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi, gjatë konstatimin të palëve në procedurë, theksoi se në seancën e sotme munngon eksperti financiar, tutje shtoi se i njejti ka qenë i ftuar por nuk është prezent, përmes email e ka njoftuar Gjykatën, se nuk mund të paraqitet në Gjykatë dhe ka theksuar se ka lëshime nga ana e tij, lidhur me datën e seancës së sotme.
Kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi theksoi se nuk ka kushte për vazhdim të shqyrtimit gjyqësor.
Ndryshe, sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit Bahri Nuredini, në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dhe Driton Mehaj, Menaxher i Kontratës për Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Tutje, të akuzuarit përmes Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik kanë shpallur fitues të tenderit OE “TCN International” Sh.P.K, me vlerë të përgjithshme të kontratës 7,808.296.00 Euro, ashtu që të pandehurit e kanë futur rilokimin e sistemeve ekzistuese në tenderin e ri edhe pse ky ka qenë obligim kontraktual i kompanisë “LIMAK”, ndërsa gjatë zbatimit të projektit, nuk i kanë ndërmarrë masat mbrojtëse ndaj OE të paraparë me ligj dhe kontratë.
Sipas aktakuzës, në mënyrë të kundërligjshme është bërë zgjatja e afatit të kontratës nga 523 ditë, në 1 mijë e 700 ditë dhe thuhet se edhe pas zgjatjes së këtij afati, kontrata nuk është përfunduar, por e njëjta është shkëputur në mënyrë të njëanshme nga ky operator më 19 shtator 2016, marrë për bazë se deri në këtë datë i ishin paguar 97% e mjeteve financiare nga vlera e përgjithshme prej 7 milionë e 808 mijë e 296 euro.
Nuredini dhe Mehaj, akuzohen se me veprimet e tyre, i kanë shkaktuar dëm material buxhetit të AShNA dhe buxhetit publik, në lartësi të paktën 1,937,230 Euro.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga: Arton Hoxha